Kyeministri britanik, Keir Starmer deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Britania e Madhe këtë vit do të dërgojë grupin e saj të sulmit me aeroplanmbajtëse në rajonet e Atlantikut të Veriut dhe Veriut të Largët.
Ai sqaroi se grupi do të drejtohet nga HMS Prince of Wales, duke operuar “së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe aleatët e tjerë të NATO-s”.
“Kjo është një shfaqje e fuqishme e angazhimit tonë për sigurinë euro-atlantike”, tha Starmer, shkruan skynews.-Advertisement-
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit bërthamor me Francën, duke kujtuar se Mbretëria e Bashkuar ka qenë fuqia e vetme bërthamore në Evropë që është angazhuar në mbrojtjen e të gjithë anëtarëve të NATO-s.
Gjatë fjalës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Starmer nënvizoi se Evropa duhet të jetë në gjendje të “pengojë agresionin”.
Ai shtoi se “duhet të jemi gati të luftojmë” dhe të bëjmë gjithçka që “nevojitet për të mbrojtur njerëzit tanë, vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës”.
“Si Evropë, duhet të qëndrojmë mbi dy këmbët tona”, tha lideri britanik, duke theksuar se kjo do të thotë të jemi më të guximshëm, të lëmë mënjanë politikat e vogla dhe shqetësimet afatshkurtra, dhe të veprojmë së bashku për të ndërtuar një Evropë më të fortë dhe një NATO më evropiane.
Evropa është një gjigand i fjetur që ka aftësi mbrojtëse të jashtëzakonshme, duke theksuar se ekonomitë evropiane janë dhjetë herë më të forta se ajo ruse, tha Starmer.
“Megjithatë, shpesh ky potencial është më i vogël se shuma e pjesëve të tij”, tha Starmer dhe shtoi se “planifikimi dhe furnizimi i fragmentuar industrial kanë çuar në boshllëqe në disa fusha dhe në një dyfishim të madh në të tjera”.
Si shembull, ai përmendi se Evropa ka disa lloje aeroplanësh luftarakë dhe fregatash. Ai gjithashtu theksoi se Europa përdor dhjetë lloje tanke kryesore luftarake, ndërsa vetëm një e ka SHBA-ja.

