Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer ka dalë në një konferencë për mediat ku ka folur edhe lidhur me luftën në Iran. Starmer deklaroi se Britania ka objektiva të qarta dhe të vazhdueshme dhe përparësia e parë është mbrojtja e popullit britanik në rajon.
Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në luftën më të gjerë dhe se do të vazhdojë të punojë për një rezolutë të shpejtë për të ndaluar kërcënimin iranian.
Kryeministri thotë se është e qartë se operacioni amerikan e ka dobësuar masivisht aftësinë ushtarake të Iranit, por shtoi se pas konfliktit do të duhet një lloj marrëveshjeje e negociuar që kufizon aftësinë e Iranit për të rindërtuar programin e tij bërthamor dhe për të siguruar transportin ndërkombëtar detar.
Ai shprehet se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet për të siguruar stabilitetin në tregje.
“Kjo nuk është një detyrë e thjeshtë dhe kjo është arsyeja pse Mbretëria e Bashkuar po punon me të gjithë aleatët tanë për të sjellë një plan të zbatueshëm për të rivendosur lirinë e lundrimit në rajon”, thotë ai.
Starmer u pyet nga gazetarët nëse Britania do të angazhohet për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit pas kërkesës së Trump për mbështetje në sigurimin e rrugës detare.
Kryeministri thotë se foli dje në telefon me Trump dhe se ka pasur diskutime mbi një plan të zbatueshëm, por shtoi se nuk është i lehtë ose i drejtpërdrejtë. Lidhur me marrëdhënien e tij me Trump, Starmer tha se është një marrëdhënie e mirë.
“Ne jemi aleatë të fortë; kemi qenë për dekada të tëra. Por më takon mua të veproj në atë që e konsideroj si interesin më të mirë të Britanisë. Nëse je kryeministër, nuk ke të drejtë të kthehesh një javë më vonë dhe të thuash – ups, bëra një gabim në lidhje me atë luftë, a mund të tërhiqem tani?”, tha Starmer.


