Statuti i ri i PD: Rritet roli i anëtarit, demokracia e brendshme, ndarje me komunizmin

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar të shtunën Statutin e ri të partisë.

Ndryshimet statutore u votuan në parim nga mijëra delegatë demokratë të pranishëm në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, mes tyre edhe kryetari Lulzim Basha.

Ato e përcaktojnë qartë PD-në si një parti të qendrës së djathtë, e cila beson te ndarja e pushteteve dhe qeverisja e kontrolluar, te kontributi i diasporës si edhe te ndarja përfundimtare me pjesëtarë që ishin pjesë e vetëdijshme e strukturave të ish-regjimit komunist.

Drejtuesi i punimeve, Jemin Gjana, tha se është zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme dhe roli vendimmarrës i anëtarit, duke ngushtuar edhe kompetencat e Kryetarit në këtë drejtim.

Ndër ndryshimet kryesore që ishin propozuar:

Partia Demokratike përcaktohet si një parti e qendrës së djathtë e mbështetur në vlerat e lirisë individuale, të besimit në zot, të respektit për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor.

Partia Demokratike mbron shenjtërinë e familjes. E sheh familjen si vendin, strehën, shtratin më të natyrshëm ku mund të rriten fëmijët dhe ku vetëm ata janë në qendër të saj.

Ndarja e pushteteve, qeverisja e kufizuar dhe e kontrolluar, përgjegjshmëria fiskale, lufta ndaj fenomeneve të korrupsionit, monopoleve, si dhe pastrimi i politikës ndaj lidhjeve kriminale përbëjnë detyrimin kryesor të Partisë Demokratike.

Ndryshimet e propozuara vlerësojnë kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare dhe përcaktojnë si detyrim thelbësor të PD garantimin e plotë të të drejtave politike, ekonomike dhe shoqërore të saj.

Në këtë Statut bëhet ndarja përfundimtare me ata që ishin pjesë e vetëdijshme e strukturës së pushtetit politik, e strukturës së dhunës, e Sigurimit të Shtetit dhe të propagandës së regjimit kriminal komunist. Dënimi i krimeve komuniste dhe i veprës së atyre që morën pjesë dhe mbajtjen gjallë të atij regjimi përmes bashkëpunimit në këto krime është përcaktuar si detyrim statutor i PD.

Iniciativa personale e çdo anëtari do të jetë themeli ku do të ngrihet struktura e PD-së.

Është decentralizuar vendimmarrja dhe organizimi lokal, duke i lënë hapësirë vetëorganizimit të degëve, duke e bërë strukturën më fleksibël dhe më të përshtatshme për nevojat e secilës prej tyre.

Është zvogëluar roli i organeve monokratike dhe u është dhënë rëndësi të veçantë organeve kolegjiale, duke u shtuar kompetencat në organizimin e partisë dhe në vendimmarrjen politike.

Në Partinë Demokratike pushtetin do ta kenë anëtarët dhe institucionet, jo më individët e përveçëm.

Është bërë e qartë ndarja e pushteteve brenda institucioneve të partisë, duke garantuar pavarësinë e tyre, ku rol të rëndësishëm ka marrë Komisioni i Apelimit, i cili do jetë një garanci për respektimin e dispozitave të këtij Statuti nga të gjithë anëtarët dhe organet drejtuese.

Është harmonizuar dhe thjeshtuar përmbajtja e Statutit aktual, duke rregulluar pasaktësitë apo duke hequr parashikimet që përsëriten në tekstin e mëparshëm, por pa e prekur thelbin e tij statutor.

Share This Article