Qëllimi i ndërtimit të monumentit impozant megalitik të Stonehenge mijëra vjet më parë, në atë që tani është konteja Wiltshire e Anglisë, ka qenë gjithmonë një nga misteret e mëdha të historisë.
Megjithatë, një studim i ri ofron një përgjigje të arsyeshme për pyetjen e mësipërme, ku disa media britanike – si Daily Mail – flasin për një zgjidhje të misterit. Sipas këtij hulumtimi, Stonehenge (emërtuar sipas fjalëve të anglishtes së vjetër Stanhen gist, që do të thotë “gurë të varur”) ndoshta është ndërtuar si një simbol i bashkimit të tre rajoneve të ndryshme të Britanisë, shumë kohë përpara ekzistencës së një mbretërie të bashkuar.
Analizat gjeologjike kanë zbuluar se gurët e mëdhenj të monumentit rrethor u transportuan në rrafshinën Salisbury në Wiltshire nga zona të largëta në veri, jug dhe perëndim të ishullit, rreth 5000 vjet më parë. Fakti që këta gurë, që peshonin disa tonë, u transportuan qindra milje me mjete dhe metoda primitive tregon se monumenti kishte një qëllim unifikues.
Mike Parker Pearson, kreu i kërkimit dhe profesor i Arkeologjisë në University College London, tha: “Fakti që të gjithë gurët vijnë nga zona të largëta është diçka që e bën Stonehenge unik midis më shumë se 900 rrathëve guri në Britani. Kjo [veçori] sugjeron se monumenti mund të ketë pasur një qëllim politik dhe fetar – si një simbol i bashkimit për popujt e Britanisë që nderuan gjithashtu lidhjet e tyre të përjetshme me paraardhësit dhe universin.”
Sipas Sky News, historianët besojnë se fermerë nga e gjithë Britania u mblodhën pranë monumentit në solsticin e dimrit, më 21 dhjetor, për të festuar faktin se ditët do të fillonin përsëri të zgjateshin.
Heather Sebire, kuratore e lartë në English Heritage, komentoi për mediat britanike se popujt e lashtë të Britanisë kishin më shumë kontakte me njëri-tjetrin sesa mendohej më parë. “Edhe pse kishin teknologji të ndryshme, ndoshta kishte njerëz që donin të dilnin nga komuniteti i tyre dhe të komunikonin me të tjerët”.
Metodat e përdorura për transportimin e gurëve kaq të mëdhenj mbeten një mister, por ndërlidhja e qytetërimeve të lashta dhe nevoja për unitet duket se kanë luajtur një rol kyç në krijimin e Stonehenge.