Ishte viti 1942 kur një fshat i vogël i Librazhdit, i pozicionuar thellë rrëzë malit do të shkruante historinë e besnikërisë, trimërisë dhe mikpritjes se shqiptarëve.
26 hebrenj, të cilët në atë kohë ndiqeshin nga gjermanët, do të strehoheshin për rreth 2 vite e gjysmë në Qarrishtë, në familjen e Mefail Biçakut.
Sot emri i familjes Biçaku gjendet i gdhendur në murin Përkujtimor të Shpëtuesve ndërsa së fundmi kryeministri i Izraelit nderoi me medalje familjen nga Librazhdi.
Por përveç bujarisë dhe mikpritjes së të zotit të shtëpisë, ishte besnikëria e gjithë fshatit që bëri që askush të mos mësonte se këtu strehoheshin të huaj.
Tashmë kanë kaluar shumë vite fëmijët dhe nipërit e Mefail Biçakut kanë rivendosur kontaktet me izraelitët, me iniciativë të këtyre të fundit, ndërsa tregojnë me krenari historinë e dëgjuar nga të parët.
Fshati Qarrishtë do të mbahet mend si fshati i heronjve dhe i mbajtjes se fjalës dhe me të drejtë është quajtur TOKA E BESËS.
Emri i familjes Biçaku dhe i Shqipërisë nderohet në Izrael dhe SHBA sa herë kujtohen viktimat dhe të mbijetuarit e nazizmit. Ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri nuk mbeti i vrarë asnjë hebre./TCH