Në Strugë është mbajtur një manifestim masiv fetar në kohë të pandemisë së koronavirusit, kur në vend janë në fuqi masat e gjendjes së jashtëzakonshme.
Bëhet fjalë për manifestimin tradicional ortodoks Erodija që festohet në Strugë.
Shqetësuese janë pamjet e besimtarëve që nuk respektojnë asnjë rregull të kujdesit siç janë distanca prej dy metrave, maskat apo edhe masat e tjera për përkujdesje. Por një nga shkeljet e rënda është tubimi i më shumë qytetarëve.
Policia ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, dhe gjatë gjithë marshit që kanë bërë besimtarët. Por nuk është ndërmarrë asnjë masë.
MPB pritet të jap hollësi për këtë shkelje të rëndë që po ndodhë në kohë pandemie, pasi që një tubim i tillë përbën rrezik të madh për eskalimin e koronavirusit në rajonin e Strugës.
Qytetarët kanë shpërthyer në rrjetet sociale kundër këtij tubimi, duke kërkuar hollësi dhe përgjegjësi për këtë shkelje të rëndë.
Për mosrespektim të masave të tilla, sidomos mungesën e maskave dhe grumbullimit në grup të më shumë personave janë në fuqi gjoba prej 20 eurove, ndërsa për shkelje të rregullave sidomos orës policore janë gjobat prej 2 mijë deri 3 mijë euro, ashtu siç u janë shqiptuar qindra qytetarëve që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.