Studentët e Universitetit të Mjekësisë i ka drejtuar një letër rektorit të universitetit, Arben Gjata, ku i kërkojnë deklarimin e tij publik se universiteti nuk do paraqesë asnjë kontratë deri në përfundim të shqyrtimit të padisë së tyre nga Gjykata Kushtetuese.
Studentët i kërkojnë rektorit Gjata marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.
Studentët i kanë lënë afat një javë rektorit për kthimin e përgjigjes, dhe në rast se kjo gjë nuk do të ndodhë, studentët do intensifikojnë lëvizjen e tyre me marrjen e masave përshkallëzuese.
“Në këtë situatë ne kërkojmë mbështetjen tuaj si titullar i UMT si më poshtë vijon:
1.Deklarimin tuaj publik se Universiteti nuk do të na paraqesë asnjë kontratë në zbatim të ligjit nr 60/2023 deri në përfundim të shqyrtimit të padisë sonë nga GjK.
2.Deklarimin tuaj publik se Universiteti dhe Ju personalisht jeni në krah të studentëve dhe na mbështesni në lëvizjen tonë.
3.Marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.
Nisur nga situata jonë emergjente, keni kohë të na ktheni përgjigje mbi kërkesat e mësipërme deri të premten, më datë 27 tetor 2023.
Në rast të një mosreagimi nga ana Juaj do të jemi të detyruar të intensifikojmë lëvizjen tonë me marrjen e masave përshkallëzuese”, thuhet në letrën e tyre.
Prej tre javësh studentët e Universitetit të Mjekësisë vijojnë bojkotin në kundërshtim të ligjit që i detyron ata të punojnë 5 vite në Shqipëri përpara tërheqjes së diplomës. Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë përcaktoi koston prej 2500 eurosh në vit për studentët të cilët përfundojnë studimet dhe duan të tërheqin diplomën pa qenë nevoja të punojnë në Shqipëri.
Por ky vendim hasi sërish në kundërshtim nga ana e studentëve. Këta të fundit dorëzuan të enjten (19 tetor) në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë për anulimin e ligjit që i detyron ata të punojnë për 5 vite në Shqipëri.