Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi lidhur me peticionin e studentëve shqiptarë të Fakultetit të Drejtësisë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
“Ligji për gjuhët është i qartë në këtë rast,” tha Mickoski, duke shtuar se “nëse dikush kërkon dhënien e provimit në shqip, duhet t’i lejohet.”
Peticioni është dorëzuar nga 385 studentë shqiptarë në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin dhe Qeverinë e RMV-së. Studentët argumentojnë se dhënia e provimit në shqip është e drejtë e garantuar me ligj, pasi studimet i ndjekin në shqip dhe shqipja është gjuhë zyrtare në vend.
Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën, duke argumentuar se provimi shërben edhe si test për njohjen e gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike. Studentët kundërshtojnë këtë qëndrim, duke theksuar se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk ndalon dhënien e provimit në shqip dhe se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve obligon institucionet të lejojnë përdorimin e shqipes në procedurat zyrtare.
Për këtë situatë reagoi edhe ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, e cila e cilësoi kërkesën si të drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Ajo shtoi se dialogu konstruktiv, zgjidhjet institucionale dhe respektimi i të drejtave të njeriut mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe për përmirësimin e standardeve demokratike në vend.

