Studiues të huaj në Kosovë për gjuhën shqipe, edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar në Prishtinë

albnews
By
6 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kanë filluar në Prishtinë punimet e edicionit të 41-të të seminarit ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Studiues dhe studentë nga e gjithë bota janë mbledhur në kryeqytetin Prishtinë të Kosovës për të marrë pjesë në edicionin e 41-të të seminarit ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

E veçanta e këtij seminari është se pjesëmarrësit kanë mundësi që përgjatë dy javëve të ndjekin kurset e mësimit të gjuhës shqipe, ndërsa shpalosin hulumtimet e tyre shkencore në fushën e albanologjisë.

Temat kryesore të aktivitetit janë “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.

Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të këtij seminari, drejtori i tij Bardh Rugova nuk la pa kritikuar autoritetet që sipas tij duhet të ndërmarrin më shumë përpjeke për të ruajtur gjuhen e folur shqipe në botë me varietetet e saj.

Duke folur për seminarin, Rugova u shpreh se ndikimi i seminarit shtrihet në tri fusha, ai kulturor, arsimor e studimor si dhe ai integrues.

Ndikimi i parë ishte ky që e përmenda kulturor, seminari mundëson shkëmbime kulturore të tjera, mundëson përfaqësime kulturore të albanologjisë në botë dhe përkthime të veprave nga gjuha shqipe në gjuhe të ndryshme të botës. Ndikimi i dytë është arsimore e studimor, pjesa më e madhe e departamenteve të shqipes dhe ballkanistikës në botë drejtohen e udhëhiqen nga nxënës të dikurshëm të këtij seminari, veç kësaj seminari vit për vit është një vend ku ndërmerren nëpërmjet referimeve, kumtesave, shtrohen e diskutohen probleme të caktuara të albanistike duke e shtyrë gjithnjë më përpara këtë fushë. Ndikimi i tretë është ai integrues, krijimi i kontakteve me institucione e individë të interesuar për shkencën gjithandej botës, lidhja e bashkëpunimeve dhe raportet kontraktuale janë baza e ekzistencës së këtij institucioni”, deklaroi Rugova.

Ndërsa ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagaci, theksoi se me kalimin e viteve seminari është rritur dhe zgjeruar duke u kthyer në një platformë të qëndrueshme për evidentimin dhe promovimin e vlerave kombëtare gjuhësore, letrare e kulturore.

 “Seminari ka një rendësi jetike për shkencat gjuhësore në tërësi e për shqipen tonë në veçanti. Gjatë punimeve të seminarit jepet hapësirë e merituar për kumtesa dhe diskutime të hapura rreth shqipes dhe problemeve që e shoqërojnë atë sot e mot. Besoj fuqishëm se kjo është mënyrë optimale për të ecur përpara drejt ruajtjes dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë. Impakti i seminarit bëhet edhe më i qartë kur shohim pjesëmarrësit dhe ligjëruesit që marrin pjesë nga viti në vit në këtë seminar duke u bashkuar të gjithë ata që kontribuojnë jo vetëm në trevat shqiptare por edhe ato të banuara me shqiptarë nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë, etnologjisë e të tjera por edhe akademikë e studiues nga vende të ndryshme të botës të cilët sjellin hulumtime dhe analiza me rendësi të veçantë duke e trajtuar edhe shqipen nga këndvështrimi i një personi, studiuesi e akademiku jo shqipfolës”, tha Nagavci.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e vlerësoi seminarin si ngjarjen më të madhe shkencore, kulturore, arsimore dhe albanologjike.

Ky seminar kësisoj konsiderohet një dritare e hapur e lidhjes së albanologjisë me botën e jashtme, është ura e krijimit të miqësive dhe e marrëdhënieve dhe marrëveshjeve të reja, është auditoriumi ku janë paraqitur shumë rezultate të rëndësishme shkencore dhe janë diskutuar e shqyrtuar e testuar tema të mëdha që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën dhe të kaluarën e saj monumentale dhe jam i bindur që duke gjetur inspirim në dedikim dhe praninë tuaj sot dhe të ardhmen e saj të ndritur edhe ky vit nuk bën përjashtim, për më tepër përmbajtja e programit të këtij viti është e një përmase të veçantë vëllimore si në cilësi ashtu edhe në sasi, shumë nga profesorët e akademikët e pranishëm këtu sot janë vet themelet e këtij institucioni ikonik”, u shpreh Qerimi.

Për të pranishmit foli edhe ambasadori I Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott,  i cili duke folur në shqip foli për rëndësinë e ruajtjes së gjuhëve.

 “Në një epokë të karakterizuar nga globalizmi dhe përparimet teknologjike rëndësia e ruajtjes së gjuhëve dhe nxitjes së shkëmbimit kulturor nuk ka qenë kurrë më kritike. Gjuha shqipe me origjinë të saj të lartë dhe veçoritë gjuhësore unike është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së një populli. Megjithatë pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimet me zhdukje pasi forcat moderne dhe lidhjet globale po lënë në hije rëndësinë e saj. Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi por një sferë e tërë letrare që kanë pasuruar kuptimin tonë kolektiv të përvojës njerëzore”, tha Abbott .

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, I themeluar në vitin 1974 pranë fakultetit të filologjisë të universitetit të Prishtinës, do të vijojë punimet deri në datën 25 gusht.

Share This Article