Në këtë periudhë karnavalesh, studiuesja e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, dr. Dorina Arapi po zhvillon ekspeditën e dytë studimore pranë komuniteteve arbëreshe në Itali.
Dorina Arapi e ka përqendruar hulumtimin e saj, në fshatin San Demetrio Corone. Në qendër të analizës antropologjike janë ritualet pranverore, veçanërisht ato që i paraprijnë Pashkës, si: Rituali i të Vdekurve, festa e Karnavaleve, Djelzit, etj.
Festa më e ndjerë e traditës arbëreshe është “E shtuna e shpirtrave”. Në Shën Mitër, kjo ditë kushtuar përkujtimit të të vdekurve, njihet me disa emërtime, si: “Të vdekurit bizantinë”, “Psychosabbaton”, “E Shtuna Përshpirt”, “Java e Prigatorëvet ose e Përgatorëvet”, “Java e të vdekuravet” dhe “I morti albanesi”.
Përkujtimi i të vdekurve në traditën arbëreshe të ritit greko-bizantin bën pjesë në ciklin e “Festave të Lëvizshme” të kalendarit liturgjik, i cili ndryshon çdo vit në varësi të datës së kremtimit të Pashkës.
Sipas botëkuptimit arbëresh, gjatë ditëve të kremtimit të kësaj feste, Krishti u jep shpirtrave, lejen të kthehen në shtëpitë e tyre, për tu ribashkuar me familjet e tyre.
Kjo festë simbolizon jo vetëm respektin dhe përkujtimin ndaj të parëve, si një formë e identitetit kulturor dhe etnik, por njëkohësisht simbolizon lidhjen e ngushtë shpirtërore që qendron midis botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve, si një formë dialogu midis së shkuarës dhe së tashmes.
QSPA bëri të ditur se, të dhënat e mbledhura në terren do të shërbejnë si burim parësor për përmbylljen e monografisë së studiueses, e parashikuar për tu botuar këtë vit.

