Një stuhi e fortë ka goditur Moskën pasditen e së enjtes, duke shkaktuar dy viktima. Reshje të dendura shiu dhe erëra me shpejtësi ekstreme që shkulën qindra pemë nga toka kanë përfshirë kryeqytetin rus.
Një burrë vdiq pranë parkut Dubki në veri të Moskës kur erërat me shpejtësi shkulën një pemë, e cila më pas e zuri poshtë. Media shtetërore më vonë raportoi se një person tjetër kishte vdekur nga stuhia, e cila u soll nga një front i fortë i ftohtë.
Stuhia po ashtu ka lënë të plagosur të paktën 18 persona. Videot e postuara në mediat sociale tregojnë moskovitët që vrapojnë për t’u mbrojtur ndërsa stuhia e shiut “përpin” rrugët e qytetit.
Shumë rrugë u përmbytën dhe një tornado u formua jo shumë larg kryeqytetit rus. Sipas vlerësimeve paraprake, 700 pemë janë shkulur duke u rrëzuar nëpër rrugë dhe 300 makina janë dëmtuar.
Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin kishte paralajmëruar më herët gjatë së mërkurës për ardhjen e një stuhie të fortë, ndaj autoritetet kishin aktivizuar një alarm të kuq për Moskën.