Një stuhi e fuqishme ka goditur Britaninë e Madhe dhe një pjesë të Francës në prag të festave të fundvitit.
Bëhet fjalë për stuhinë Pia e cila ka sjellë erëra të fuqishme që fryjnë me shpejtësi prej 130 kilometra në orë, transmeton Telegrafi.
E duke marrë parasysh se jemi në prag të festave të fundit kur edhe rritet numri i pasagjerëve në mbarë botën që vizitojnë më të dashurit e tyre, kjo stuhi ua ka vështirësuar paksa punën autoriteteve britanike në aeroporte.
Madje në aeroportin e Birminghamit erërat ishin aq të fuqishme, sa që piloti mezi arriti ta zbriste në pistë aeroplanin, të cilin erërat e frynin herë në të majtë e herë në të djathtë.
Megjithatë, falë përvojës së pilotit, aeroplani ka zbritur në pistë pa ndonjë problem. Nga kabina është e ditur se asnjëri nga pasagjerët që gjendej në fluturake nuk është lënduar.