Të paktën pesë persona kanë humbur jetën ndërsa stuhia tropikale Isaias përfshiu shtetet amerikane në bregun atlantik.
Dy persona humbën jetën kur një tornado goditi një park me kampera në Karolinën e veriut dhe të paktën tre të tjerë u vranë në Nju Jork, Delauer dhe Meriland.
Isaias që atëherë është zhvendosur në Kanadanë jug lindore dhe ka humbur fuqi duke u kthyer në një ciklon post tropikal.
Qendra kanadeze e uraganëve ka paralajmëruar për reshje të dendura shiu veçanërisht në Kebekun jugor. Stuhia e nëntë e emërtuar e vitit, Isaias, goditi më herët Puerto Ricon, haitin dhe Republikën Domenikane, me erëra që kishin forcën e uraganëve duke i marrë jetën të paktën dy personave atje.
Ajo shkuli pemë me rrënjë, shkatërroi të mbjella e shtëpi dhe shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje toke. Pasi kaloi mbi karaibe ajo humbi pak fuqi por u rikategorizua si një uragan i kategorisë së parë ndërsa iu afrua karolinave të hënën.
Nga Karolina e veriut e deri në Nju Jork, Isaias la më shumë se 3.4 milionë banorë pa energji elektrike. Ajo shkaktoi tornado, shkuli pemë me rrënjë, dëmtoi shtëpi dhe shkaktoi përmbytje dhe zjarre.
Një paralajmërim për stuhi tropikale është lëshuar për brigjet veri lindore deri në Maine duke mbuluar qytete si Uashingtoni, Filadelfia dhe Nju Jork.