Suedia dhe Finlanda janë pajtuar që të njëjtën kohë të bëjnë kërkesën për anëtarësim në NATO dhe atë kah mesi i muajit të ardhshëm, kanë bërë të ditur mediat e vendeve nordike.
E përditshmja finlandeze Iltalehti, ka njoftuar se Stokholmi ka propozuar që këto dy vende të tregojnë gatishmëri që të njëjtën ditë të aplikojnë, dhe se Helsinki është pajtuar për një gjë të tillë.
Ndërkaq e përditshmja suedeze Expressen, ka cituar burime brenda qeverisë që konfirmojnë këto raportime, shkruan The Guardian.
Kryeministret e këtyre dy vendeve kanë thënë këtë muaj që po shqyrtojnë anëtarësimin në NATO, duke pretenduar se pushtimi rus në Ukrainë ka ndryshuar “tërë peizazhin e sigurisë” së Evropës, dhe në mënyrë dramatike e ka përshkruar mënyrën e të menduarit për rajonin nordik.
Kryeministrja finlandeze Sanna Marin ka thënë se vendi i saj që ndan kufirin prej 1.300 kilometra më Rusinë, do të vendosë nëse do të dorëzojë kërkesën për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike brenda javëve apo muajve – varësisht nga zemërimi i Moskës.
E kolegia e saj suedeze Magdalena Andersson, ka thënë se Suedia është dashur “të jetë e gatshme për të gjitha llojet e veprimeve nga ana e Rusisë”, dhe se “gjithçka ka ndryshuar” kur Moska sulmoi Ukrainën.
Rusia ka paralajmëruar të dy vendet lidhur me një veprim të tillë. Kremlini ka njoftuar se do të detyrohet ta “rikthej balancin ushtarak” me forcimin e mbrojtjes në Baltik – përfshirë edhe vënien e armëve bërthamore – nëse dy vendet vendosin t’i bashkohen NATO-s.