Komisioni Zgjedhor në Britaninë e Madhe ka zbuluar se të martën është vendosur në shënjestër të një sulmi kibernetik që lejoi hakerët të aksesonin regjistrat zgjedhorë.
Ata kërkuan falje për shkeljen, por thanë se kishte pak rrezik që mund të ndikonte në rezultatin e një votimi edhe pse bëhet me dije nga mediat se detajet e dhjetëra miliona votuesve mund të kenë rënë në duart e hakerave.
Prej hakerimit është siguruar akses në kopjet referuese të regjistrave zgjedhorë që përmbanin emrin dhe adresat e kujtdo që ishte regjistruar për të votuar në proceset e zhvilluara midis 2014 dhe 2022.
Kopjet e referencës, të cilat mbahen për qëllime kërkimore dhe për të mundësuar kontrollet e lejueshmërisë së donacioneve politike, përmbanin gjithashtu detaje të njerëzve të regjistruar për të votuar jashtë shtetit gjatë kësaj periudhe kohore.
Sulmi u identifikua në tetor të 2022-shit, por hakerët fillimisht kishin mundur të hynin në sistemet e komisionit në gusht 2021. Kjo do të thotë që hakerat që kryen sulmin mbetën të pazbuluar, me akses në materialet sensitive për më shumë se një vit.
Në kohën e sulmit në 2021, kishte 43 milionë njerëz në regjistrin zgjedhor në Angli dhe Uells.
Komisioni Zgjedhor tha se të dhënat për shumicën e këtyre personave ishin të aksessueshme edhe në një regjistër të hapur, por ç’është e vërteta pothuajse 28 milionë njerëz u larguan nga regjistri i hapur atë vit sipas SkyNews.