Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të enjte, më 24 prill, në gjimnazin “Notre-Dame-de-Toutes-Aides” në qytetin Nantes të Francës.
Një nxënës 15-vjeçar, që ndjek vitin e dytë në këtë shkollë, hyri në ambientet e institucionit me një thikë dhe sulmoi katër bashkëmoshatarë të tij.
Sipas burimeve pranë hetimit, i riu u ngjit fillimisht në katin e dytë të godinës dhe goditi një vajzë me thikë. Më pas, ai zbriti në katet më poshtë dhe hyri në dy klasa të ndryshme, ku plagosi edhe tre nxënës të tjerë. Fatkeqësisht, një nga viktimat ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Nga tre të plagosurit e tjerë, një është në gjendje kritike për jetën, një në gjendje të stabilizuar dhe një tjetër ka marrë plagë të lehta, raporton BFMTV.
Ngjarja shkaktoi panik mes nxënësve dhe stafit pedagogjik. Mësuesit reaguan me shpejtësi dhe arritën ta neutralizonin agresorin përpara se të mbërrinte policia. I riu ishte i panjohur për autoritetet, pasi nuk kishte pasur asnjëherë probleme me ligjin apo shërbimet e sigurisë.
Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, pritet të vizitojë vendngjarjen gjatë pasdites, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e këtij akti të rëndë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e sigurisë në institucionet arsimore në Francë.