Prokuroria e Tiranës kërkon vendosjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për 5 punonjës IT në AKSHI në lidhje me sulmet kibernetike të muajve të fundit nga hakerat iranianë që dëmtuam sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Kështu, Prokuroria ka kërkuar vendosjen e masës së arrestit të shtëpisë për Rudina Llagamin, Albi Gjekën, Altin Sallakun, Alketa Sulon dhe Igli Lubonjën.
Këta punonjës të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë kërkuar raportim për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.
Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it, duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.