Autoritetet amerikane kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi pasi dy studentë u vranë dhe nëntë persona të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me armë zjarri në Universitetin Brown, në shtetin e Rhode Island, raporton BBC.
Sipas zyrtarëve, autori hapi zjarr në një klasë rreth orës 16:00 me kohën lokale, në ndërtesën e inxhinierisë Barus and Holley, në pjesën lindore të kampusit të universitetit prestigjioz, ku po zhvilloheshin provimet përfundimtare.
Zyrtarë nga Spitali i Rhode Island bënë të ditur se shumica e të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, por të stabilizuar, ndërsa spitali është futur në regjim izolimi për shkak se i dyshuari ende nuk është kapur.
Urdhri për qëndrim në ambiente të mbyllura vazhdon të jetë në fuqi për zonën përreth Universitetit Brown. Identitetet e viktimave dhe të të plagosurve nuk janë bërë ende publike.
“Ky është një moment që shpresonim të mos vinte kurrë për komunitetin tonë. Është thellësisht shkatërrues për të gjithë ne,” deklaroi presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson.
Policia ka dhënë informacion të kufizuar për të dyshuarin, por ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë ku ai shihet duke dalë nga ndërtesa pas sulmit. Në pamje nuk dallohet qartë fytyra e tij dhe as ndonjë armë.




