Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas incidentit që ndodhi këtë të martë ku kreu i PD-së Sali Berisha u godit me grusht nga Gert Shehu 31-vjeç.
Në një postim që ka bërë në Twitter, Basha shkruan se kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht ndërsa shkruan se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhja.
“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar.”- shkruan Basha.
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi mesditën e së martës kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë.
31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së.
31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe ndërkohë po merr mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Në lidhje me ngjarjen e rëndë Berisha u shpreh se gjithçka është e organizuar nga Edi Rama.