Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në mesditën e së mërkurës, ka raportuar ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) në teren. Më 24 shtator, afër manastirit në Banjskës ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur. Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist. Në mesditën e së mërkurës, ekipi i REL-it ka vërejtur se fshati është i zbrazët dhe njerëzit janë të mbyllur nëpër shtëpi. Rrugës për në fshat shihen vetëm pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka arritur të flasë me disa banorë.
Ata kanë shprehur fikë dhe kanë thënë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur. “Jemi të tmerruar, kemi nevojë që dikush të na tregojë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë një banore e nacionalitetit serb në Banjskë. Sipas saj, situata e së dielës ka qenë më e rëndë sesa e luftës. “Në errësirën e parë kemi hyrë në shtëpi”, ka thënë ajo për REL-in. Në atë zonë, përveç ekipit të REL-it janë parë edhe shumë ekipe tjera të gazetarëve. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe -partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiç i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre.
Ato madje e kanë publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiç i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar dhe të veshur me uniforma. Në Serbi, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç ka thënë se shihet qartë që video-incizimi nuk është i ditës së sulmeve në veri të Kosovës. “Nuk e kam atë informacion nëse ai [Radoiçiç] është në video-material apo jo, nuk e di”, ka thënë ai për Radiotelevizionin e Serbisë. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.