Sulmi ndaj ujësjellësit, Kurti: Qëllimi ishte destabilizimi i Kosovës

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur sërish për sulmin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale, të lidhur me institucionet e sigurisë së Serbisë.

Kurti tha se i gjithë sulmi kishte për qëllim që Serbia ta paraqesë Kosovën si përgjegjëse, duke shtuar se Serbia ka gjeneruar qëllimisht tensione për të ruajtur pushtetin e brendshëm.

“Sulmi në Ibër -Lepenc nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e qëllimshme e Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës në përmasa të gjera. Një element kyç është edhe fakti se ekspertiza ndërkombëtare forenzike konstaton që eksplozivi me të cilin është kryer sulmi terrorist i asaj nate është me origjinë ushtarake. Si aktakuza ashtu edhe të gjeturat e ekspertizës ndërkombëtare forenzike janë në linjë të plotë me vlerësimet fillestare të institucioneve tona të sigurisë të cilat i pata prezantuar një vit më parë në konferencë të jashtëzakonshme për media në Kryeministri”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se regjimi i Aleksandar Vuçiç, i përballur me një valë protestash në rritje që rrezikonin stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën duke tentuar të zhvendos krizën nga Beogradi drejt veriut të Kosovës, duke futur Kosovën në kolaps energjetik dhe të krijonte pasiguri te qytetarët e komunave veriore.

Më tej, Kurti thekson se sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë, Zubin Potok, ka ndikuar në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi.

Ky grafik dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë sipas modeleve të vjetra të prodhimit të krizave, të ngjashme me praktikat e periudhës së Millosheviqit, duke gjeneruar qëllimisht tensione përreth saj për të ruajtur pushtetin e brendshëm. Metodat hibride ruse vazhdojnë të shërbejnë si një “doracak reference” për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Pas agresionit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë, në bashkëpunim me struktura para-shtetërore, përfshirë terroristin Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit të tij kriminal-terrorist, nënvizon Kurti.

“Kosova u bën thirrje partnerëve të saj ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie, por të kuptohen si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti, i cili rrezikon paqen e stabilitetin rajonal, rendin demokratik dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Përgjegjësia për këto veprime tashmë është sqaruar; nevojiten sa më shpejt hapa konkretë sanksionues, për të parandaluar përsëritjen e tyre”, përfundon kryeministri i Kosovë, Albin Kurti.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviç, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia. Ibër-Lepenci furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.

Pas sulmit terrorist, ndërmarrja Ibër-Lepenc ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet. Ndërprerje të ujit ka pasur edhe në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë për sanimin e dëmeve në Ibër-Lepenc.

Share This Article