Presidenti amerikan, Joe Biden, ishte këtë të mërkurë (18 tetor) në Tel Aviv, në shenjë mbështetjeje për Izraelin pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Vizita e presidentit amerikan dhe takimi me kryeministrin Benjamin Netanyahu, u bë në një moment kur situata është bërë edhe më e tensionuar, pas shpërthimit masiv një natë më parë (17 tetor) në spitalin e Gazës, ku mbetën të vdekur qindra persona.
Qeveria amerikane aktualisht beson se Izraeli “nuk është përgjegjës” për shpërthimin në spital, bazuar kjo sipas tyre në analizën e imazheve, përgjimeve dhe informacioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Ndërsa ne vazhdojmë të mbledhim informacione, vlerësimi ynë aktual, bazuar në analizën e imazheve, përgjimeve dhe informacionit me burim të hapur, është se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spitalin e Gazës dje”, tha Adrienne Watson, zëdhënëse e NCS, në një deklaratë të mërkurën.
Zyrtarët thanë për CNN se provat fillestare të mbledhura nga komuniteti i inteligjencës amerikane sugjerojnë se sulmi në spital erdhi nga një raketë e lëshuar nga grupi i Xhihadit Islamik Palestinez.
Midis provave që janë mbledhur është një analizë shpërthimi që sugjeron se ishte një shpërthim tokësor dhe jo një sulm ajror që goditi spitalin. Sipas hetimeve, nuk kishte asnjë provë të vetëm që sugjeronte se kishte një bombë, por kishte dëme të mëdha zjarri dhe mbeturina të shpërndara që është në përputhje me një shpërthim që fillon nga niveli i tokës.
Zyrtarët palestinezë kanë fajësuar sulmet ajrore izraelite për incidentin vdekjeprurës, por Izraeli ka këmbëngulur se nuk ishte përgjegjës.
Ndër të tjera, Presidenti Biden tha se Izraeli ka rënë dakord që ndihma humanitare të kalojë në Gaza nga Egjipti, duke paralajmëruar se çdo përpjekje e Hamasit për të vjedhur ndihmën do të tregonte se ai “nuk ka shqetësim për mirëqenien e popullit palestinez”.
SHBA-ja “qëndron pa mëdyshje për mbrojtjen e jetës civile gjatë konfliktit”, tha Biden gjatë fjalimeve në Tel Aviv, duke shtuar “njerëzit e Gazës kanë nevojë për ushqim, ujë, ilaçe, strehim.”