Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar se Serbia ka shkelur traktatin bazë të arritur në shkurt këtij viti, sipas të cilit palët duhej t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet me mjete paqësore, ndërsa kërkon nga Brukseli dënimin e kësaj shkelje.
Në një intervistë për “Sky News”, Kurti u shpreh se pas ngjarjeve në veri më 24 shtator, ku grupe të armatosura serbe sulmuan Policinë e Kosovës, asgjë nuk mund të jetë si më parë.
“Ne nuk mund të kthehemi si zakonisht. Pas 24 shtatorit asgjë nuk është si më parë, dhe në këtë situatë ka kontribuar edhe toleranca ndaj shkeljeve të traktatit bazë që kemi rënë dakord me Serbinë në shkurt të këtij viti. Brukseli është një arbitër, i cili duhet të reagojë sa herë ka një shkelje, shkelje të marrëveshjes. Neni 3 i traktatit bazë thotë se palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i dhunës. Pres që Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje të traktatit tonë bazë, në këtë mënyrë ne të mund të kthehemi në rrugën e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mundësojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë demokratike evropiane”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për sigurimin e kufijve nga KFOR dhe Policia e Kosovës, ndërsa theksoi edhe njëherë se Serbia duhet të sanksionohet.
“Duhet të kemi siguri për Kosovën, dhe sanksione për Serbinë. Siguria do të thotë, para së gjithash, siguria e kufirit tonë, që është mjaft e gjatë kur bëhet fjalë për fqinjin tonë verior serb [pra ju doni më shumë paqeruajtës këtu], më shumë paqeruajtës, të cilët do të patrullojnë së bashku me policinë tonë përgjatë kufirit të gjatë në rajonet malore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është numri një, ne kemi nevojë për dënim për Serbinë, ata do të përsërisin krimet e tyre, nëse nuk ka dënim nga BE, NATO, SHBA, Britania e Madhe… Dhe çfarë tjetër na duhet është që këto organizata terroriste që ne i shpallim kështu tre muaj më parë, “brigada e veriut” dhe “mbrojtja civile”, duhet të shpallen terroriste edhe nga miqtë, aleatët dhe partnerët tanë”, është shprehur Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka deklaruar po ashtu se nuk kanë prova se janë hequr bazat operative serbe në afërsi të kufirit.
“Ne ende nuk kemi prova se ata i kanë hequr ato siç u kanë premtuar me sa duket aleatëve tanë perëndimorë, megjithatë, nga 50 deri në 150 njerëz të armatosur janë në secilën prej këtyre bazave operative. Baza e operimit duhet të hiqet prej andej. Numri një, statusi i tyre është i gabuar. Numri dy, prania e tyre është frikësuese”, theksoi Kurti.