Kryeministri i ri britanik, Rishi Sunak zhvilloi dje në mbrëmje bisedën e tij të parë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke premtuar mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe për Ukrainën.
Të dy paraardhësit e tij, Boris Johnson dhe Liz Truss kishin premtuar me zë të lartë mbështetje të plotë për vendin e shkatërruar nga lufta.
Kryeministri i ri, Sunak tha se mbështetja e Britanisë së Madhe do të ishte më e fortë se kurrë, nën udhëheqjen e tij.
“Populli ukrainas dhe presidenti Zelensky mund të besojnë në solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe. Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë Ukrainës”, shkroi Sunak në Twitter.
“Zhvilluam një bisedë të shkëlqyer. Të dy ramë dakord për të shkruar një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve”, shkroi Zelensky në Twitter.