Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi, është shprehur se Kosova nuk është vetëpërjashtuar e as nuk është vetizoluar nga nisma rajonale e Mini-Schengenit.
Në një intervistë për televizioni OraNews në Shqipëri, ka thënë se “Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj iniciative dhe iniciativa si kjo duhet ta kenë pëlqimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës”.
“Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse aktive, jo vetëm si mysafire por pjesëmarrëse e barabartë në këtë projekt rajonal. Si pjesë e kësaj duhet të jetë dhe përgatitja. Të fajësosh nuk i ndihmon as kësaj iniciative dhe as ndonjë iniciative tjetër që ndonjë prej aktorëve apo shteteve të Ballkanit Perëndimor të mos jetë kontribuues i barabartë”, ka thënë Surroi, përcjell OraNews.
E ndërsa e gjithë ideja e Mini-Schengenit ballkanik dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave po shihet si një rilindje e Jugosllavisë së Titos, Surroi thotë se nuk ka as rilindje dhe as ide.
“Nuk ka as rilindje dhe as ide. Vetë emri Mini-Schengen është i gabuar sepse nuk ka të bëjë fare me Schengenin në këtë rajon. Ajo që realisht pretendohet të arrihet është krijimi i një hapësire të tregtisë së lirë por me institucione të unionit doganor brenda dy vjetësh. Kjo do të thotë krijimin e institucioneve të përbashkëta mes Ballkanit Perëndimor dhe ky është një pozicion që i afrohet fantashkencës. Kemi të bëjmë me shtete që jo vetëm nuk kanë krijuar një afërsi, por edhe nuk e njohin njëra-tjetrën si rasti i Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Surroi, përcjell Koha.net. “Ideja se tregtia e lirë do të korrigjojë menjëherë të gjitha problemet është e gabuar. Kemi hapësirë të tregtisë së lirë me CEFTA-n po kjo nuk i ka tejkaluar problemet”, ka shtuar më pas ai.
Surroi ka thënë se ka një problem tjetër.
“Konkurrencën mes tregtisë së lirë të mallrave dhe qarkullimit të lirë të kufomave. Janë 1653 kufoma të zhdukur nga lufta e Kosovës që nuk mund t’ju kthehen familjeve të tyre. Shtetet të cila nuk e kanë kryer arritjen e paqes dhe nënshkrimin e respektit të ndërsjellë e kanë të vështirë të krijojnë hapësira të tjera”, ka thënë Surroi.
Surroi është përgjigjur edhe në interesimin e televizionit për zërat që ai mund të bëhet pjesë e kabinetit të ri të Albin Kurtit, në pozicionin e Ministrit të Jashtëm.
“Ka qenë spekulim mediatik”, ka thënë Surroi.
I pyetur se cila do të jetë përgjigja e tij nëse merr zyrtarisht një ftesë të tillë, ai tha: “Nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve”.