Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë shtypi foli për faktet që, sipas tij, provojnë përfshirjen e Serbisë në organizmin e sulmit “terrorist në Banjskë të Zveçanit”.
Sveçla pretendoi se ka dëshmi të faktuara për përfshirjen se shtetit serb në organizmin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
“Kemi dëshmi se këtë grup terrorist Serbia e ka organizuar me kapacitetin e vet. E tani kemi dëshmi që ky grup i organizuar është nën udhëheqjen presidentit serb Vuçiq e të Millosh Vuçeviqit, ndonëse presidenti i Serbisë është munduar ta mohojë ndërlidhjen e shtetit serb në këtë aksion terrorist, por faktet tregojnë ndryshe”, deklaroi, mes tjerash, ministri Sveçla, teksa shtoi se para disa ditësh kemi dëshmuar se armatimi është nga ushtria serbe.
Ministri Sveçla tha se presidenti i Serbisë është munduar ta kamuflojë të vërtetën, duke thënë se ai grup është një grup i serbëve të pakënaqur lokalë, por, shtoi ministri Sveçla, „ka fakte ky është grup i organizuar ushtarak“.
“Faktet e siguruar nga dronët e grupit terrorist të cilat janë konfiskuar, dëshmojnë se trajnimi e armatimi janë kryer afër Jagodinës e Kopaonikut. Shteti kriminal i Serbisë, nën Vuçiqin tani po dështon edhe me manipulimin se ata janë përfshirë në aksion”, deklaroi ministri Sveçla.
Hoxha: Grupi kishte bërë “testimet e veshjeve”
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se më 2 shtator, grupi kishte bërë “testimet e veshjeve”. “Një tentativë për të përdorur pajisje të veçanta për të mos u kapur nga dylbitë dhe kamerat e dronëve”, tha ai.
Më tej, Hoxha tregoi se pamje ku, sipas tij, bëhet fjalë për “ushtrime taktike operative për sulme”.
“Ndahen në disa grupe dhe në drejtime të ndryshme, janë të pajisur me armë të gjata. Grupi simulon sulmin dhe simulohen po ashtu edhe plagosjet e anëtarëve të grupit terrorist”, tha ndër tjerash drejtori i Policisë.
Ai tha gjithashtu se në videot e siguruara shihen 2 mjete të blinduara të Serbisë “të cilat janë në posedim të forcave ushtarake dhe forcave speciale të Serbisë”.
Hoxha tha se “plani është përgatitur ashtu që për çdo sulm ka pasur armatim të veçantë, special dhe njerëz të trajnuar e ekspertë ushtarakë”.
Hoxha ka shfaqur në konferencë për media foto të shumta të armëve të ndryshme që u konfiskuan në Banjskë të Zveçanit
“Nga hetimet policore kemi ardhur në përfundim se grupi terrorist ka zhvilluar ushtrime të gjata në Kopaonik dhe Paculanske Livade”, tha ai, njëherësh prezantoi pajisje ushtarake të gjetura.
Me ketë rast u prezantua edhe lloji i minave të përdorua me teledirigjim, në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, me ç’rast humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku
Hoxha tha se shumë nga armët e gjetura janë prodhim i ri i Serbisë dhe se nuk mund të gjenden në treg të zi.