Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për vilën e Milan Radojiçiqit buzë liqenit të Ujmanit.
Në konferencë për media, ai ka bërë të ditur se vila është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës, dhe se “bypass” i tunelit është i uzurpuar nga ky kompleks i Radoiçiqit.
Sveçla ka treguar se është në bisedime me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, që kjo pronë t’i kalohet Ministrisë së Punëve të Brendshme “e pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës për stacion për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit”.
Pas bastisjes që u bë në pronat e tij në veri, ditë më parë, Prokuroria doli edhe zyrtarish me njoftim, ku tregoi në detaje për gjërat që ka konfiskuar.
“Pas realizimit të urdhër kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: Dy automjete mercedes, argjend 4.84 kg, dy motor 4X4, 1 barkë-anije, 7 DVR, dy pllaka antiplumb me dy mbrojtës, tre thika, rutera, dy çelësa të veturave, pesë gëzhoja, një dronë, pesë USB, një kamera GoPro- SSD, një video kamerë me kartelë, një shënjestër optike, një spray, shtatë telefona celular”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pak orë pas bastisjeve, Milan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në letër.
Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës është dënuar fuqishëm nga SHBA,BE dhe vendet e rajonit, ndërsa autoritetet në Kosovë janë zotuar se përgjegjësit e sulmeve terroriste do të dalin para drejtësisë.
Dy prej anëtarëve të grupit terroristë janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë në masën e parabugimit prej një muajsh.