Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ardhmja e Kosovës është në BE dhe se alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën e saj evropiane, nuk kemi.
Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e Deklaratës Schuman që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme mes kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë dhe se agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimet evropiane të rajonit.
“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog, thuhet në një njoftim për media.
Duke theksuar mbështetjen e BE-së, ai bëri thirrje për përkushtim të vazhdueshëm prej Kosovës për arritjen e progresit në rrugën e saj evropiane.
“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog, duke shtuar se mediat duhet të jenë të lira nga çdo presion dhe të gëzojnë siguri dhe liri të shprehjes.
2022 është Viti Evropian i Rinisë dhe shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për kremtimin e Ditës së Evropës janë të menduara për të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin.