Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku deklaroi sot se “gjatë viteve 2011-2015 në Tiranën e drejtuar nga Lulzim Basha u ndërtuan e rehabilituan 48 kopshte, shkolla e çerdhe”.
Ndërsa publikoi listën e plotë të godinave që u ndërtuan dhe rehabilituan dhe atyre që u lanë në proces, Tabaku tha se “këto janë të vërtetat që nuk i mbulojnë dot megjithë makinerinë e madhe të propagandës që kanë në dispozicion”.
“Shkollat, kopshtet apo çerdhet janë aty ndërsa dokumentacionet në bashkinë e Tiranës. Qytetarët e Tiranës janë dëshmitarët e të gjithë investimeve tona në bashkinë e drejtuar nga Basha”, tha ajo.
“Ky i Ramës dhe i Veliajt është shteti i Facebook dhe i projekteve në 3D. Është modeli i qeverisjes duke hedhur baltë mbi kundërshtarin sepse kjo është alternativa e fundit mbetur pas 8 vitesh dështime në çdo fushë”, tha Tabaku.
Ajo shtoi se “ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit, t’i rikthejmë Shqipërisë njerëzit e saj; t’ua kthejmë qeverinë qytetarëve. Ka ardhur koha ta çojmë Shqipërinë drejt rrugës së suksesit dhe standardeve të larta të jetesës”.