Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se “afera e inceneratorëve është një aferë korruptive e drejtuar dhe menaxhuar nga një grup i strukturuar kriminal, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për abuzimin prej mbi 430 mln euro”.
Në një reagim pasi SPAK hodhi akuzat e biznesmenit Mirel Mërtiri, për shpifje ndaj opozitës, Tabaku u shpreh se “pak javë pasi kishte nisur komisioni hetimor për inceneratorët njeriu që është pronari real i 3 kompanive të inceneratorëve dhe strumbullari që është nyja lidhëse mes kompanive dhe shtetit, Mirel Mërtiri (i njohur edhe si Klodian Mërtiri) dërgoi një padi për shpifje ndaj disa drejtuesve të lartë të PD-së, përfshirë edhe mua, por edhe kryetarit të PD-së”.
Sipas tij, vijon Tabaku, akuzat që ne i kemi bërë me fakte dhe prova Mirel Mërtirit ishin sajesat tona politike.
“Një hap të tillë Mërtiri e ka marrë në fakt edhe ndaj medieve kur ato zbuluan dhe evidentuan lidhjet e tij me ministrat e qeverisë Rama. Sot, pak ditë pasi Mërtiri dërgoi në SPAK akuzën e tij për shpifje, Mirel Mërtiri është në kërkim ndërkohë që skema e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij po zbulohet dita ditës. Në padinë e tij Mërtiri kishte vendosur një listë të gjatë provash ku përfshihen deklaratat e mia”, nënvizoi Tabaku.
Në të vërtetë , shtoi Tabaku, Mërtiri ka një të drejtë, për 4 vite me radhë kam denoncuar aferën e inceneratorëve, ndonëse provat e para që kishim grumbulluar në vitin 2017 ishin më të pakta por që gjithsesi dëshmonin krimin që po kryhej me buxhetin e shtetit dhe jetën e qytetarëve.
“Kjo është një aferë me një vlerë marramendëse prej 430 mln euro dhe mjafton t’u them që sipas të dhënave të Ministrisë së Financave inceneratori i Tiranës është ndërtuar në 30% të kapacitetit të programuar megjithëse ka marrë 100% të fondeve. Pikërisht duke pasur parasysh këto prova të qarta akuza e ngritur nga Mirel Mërtiri karshi kryetarit të PD, meje dhe kolegëve të mi u pezullua nga Gjykata. Ajo çfarë shqiptarët duhet ta kenë të qartë është se nuk do të rresht së kërkuari hetimin deri në fund të kësaj çështje”, nënvizoi Tabaku.
Tabaku bëri të ditur se “Komisioni Hetimor për Inceneratorët do të vazhdojë punën për t’u dëshmuar shqiptarëve se si ka operuar ky grup i strukturuar kriminal për të abuzuar dhe vjedhur mbi 430 mln euro”.