Afera e incineratorëve ishte pjesë e diskutimeve në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi nga SPAK që të zhvillojë hetime të thelluara dhe të vërë para përgjegjësisë grupin e strukturuar kriminal që qëndron pas incineratorëve pasi sipas saj Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit i vënë në pranga, nuk është i vetëm në këtë histori.
Nënkryetarja e PD-së deklaroi se Komisioni Hetimor i drejtuar prej saj do të hetojë paralelisht me SPAK-un aferën e inceneratorëve ndërsa paralajmëroi se çdo drejtues institucioni shtetëror dhe privat që refuzon t’i përgjigjet kërkesave të komisionit se do përballet me ligjin.
Fjala e plotë e Tabakut në Kuvend
Kur katër vite më parë nga kjo foltore ftova në interpelancë ish ministrin e Infrastrukturës dhe Energjitikës, z. Damian Gjiknuri, pakkush e besonte se afera e inceneratorëve do mbante kaq erë.
Asokohe pak dihej për inceneratorët, por me aq pak sa kishim njohuri dhe kishim dokumente në dispozicion mundëm të evidentojmë shkelje të turpshme që flisnin qartë për një aferë korruptive dhe kriminale në kurriz të shqiptarëve.
Ende më kujtohet se sa lehtësisht dhe mendjemadhësi e kishte trajtuar qeveria atë skemë dhe aferë korruptive.
Po ta shohësh këtë aferë të inceneratorëve të duket si simfonia e korrupsionit.
Gjithçka nis si sot 7 vjet më parë, ku qeveria shqiptare ndërmori një akt të denjë për çmimin Guiness. Aplikoi një super procedurë me 17 hapa brenda një dite për të kurorëzuar kompaninë e krijuar as tre muaj përpara dhënies së koncesionit me vlerë 100 mijë lekë si fituese të 22 mln eurove nga taksat e shqiptarëve.
Kështu, me një të rënë të lapsit kompania Albtek Energy do të fitonte një kontratë me çelësa në dorë me vlerën e 22 mln eurove që do të shkonin në xhepin e Stela Gugallja.
Forma e kontratës është ajo e çelësave në dorë, që do të thotë se kompania e Stela Gugalljas do të merrte pagesat sapo të firmoste kontratën që u firmos po në atë ditë që u fitua gara që nuk ishte as garë.
Mendoni që i keni parë të gjitha? Gaboheni!
Si një simfoni që vjen me rritje edhe qeveria vendosi që të abuzojë sërishmi me pushtetin e saj korruptiv duke i dhuruar një tjetër incenerator një kompanie me emrin Integrated Technology Waste Treatment Fier në pronësi të Klodian Zotos por që ka të njëjtën adresë me kompaninë e Stela Gugallja.
Këtë vit deputetët e Fierit nga PS dhe nga PD do të jenë mbushur me mesazhe për gjendjen katastrofale të Fierit që u mbyt nga plehrat e djegura. Inceneratori ka marrë mbi 22 mln euro dhe ende sot e kësaj dite është i mbyllur, nuk punon.
Dhe pikërisht atëherë kur dikush mendon që qeveria ka zënë mend, pikërisht atëherë qeveria jep një tjetër koncesion të inceneratorëve. Ky është në fakt qershia mbi tortë, inceneratori i Tiranës.
Krijesa më monstruoze e korrupsionit, që sipas kontratës reale do t’i kushtojë shqiptarëve 430 mln euro. Kush e fitoi? Kush tjetër përpos se njeriut që fshihet pas Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas, i mirënjohuri Klodian Mirel Mërtiri. I cili vetë ai fsheh pas tij peshqit e mëdhenj të kësaj historie.
Në Samitin e Demokracisë të këtij viti, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen e përkufizoi kështu korrupsionin:
“Korrupsioni në fund të fundit është një lloj forme e alkimisë financiare. Ai është një shndërrim i fuqisë në para të pistë apo e parave të pista në pushtet dhe në mënyrë që ai ta mundësojë atë transformim, ka nevojë për aktorët e këqij si ndërmjetës, ka nevojë për një vend ku të vendosë paratë e pista; pra ka nevojë për një kompani guaskë…”
Koncesioni i inceneratorëve i ka të gjitha elementët e mësipërm. Ka njerëz të pushtetet që kanë shndërruar pushtetin e tyre për të përfituar para në mënyrë të paligjshme, ka njerëz me para të pista që kanë përdorur paratë e tyre për të krijuar kompani offshore që pastrojnë ato para. Ka biznesmenë me lidhje me politikanë të korruptuar për të ngritur biznese fiktive.
E gjithë skema e inceneratorëve nuk është vetëm se një hartë e operimit e një Grupi të Strukturuar Kriminal.
Për këtë arsye askush nga ne sot nuk është i gëzuar që SPAK ka arrestuar Lefter Kokën, që padyshim është përgjegjës për këtë aferë.
Pasi çdokush prej nesh, përfshirë edhe anën tjetër të këtij parlamenti e kanë të qartë që Lefter Koka nuk është i vetëm në këtë lojë.
Mjafton t’ju përmend se sot në bankën e të akuzuarve duhet të jetë edhe deputeti Alqi Bllako që është zbuluar se ka një lidhje korruptive sepse babai i tij ka përfituar miliona në formë nën-kontraktimi nga kompanitë e inceneratorëve kur Bllako ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kokës.
Mjafton të përmendim se Zv Kryeministri Arben Ahmetaj ka udhëtuar me Klodian Mirel Mërtirin dhe të tjerë ndërkohë që ai ka përfituar nga një kontratë që edhe Arben Ahmetaj e ka provuar 3 herë.
Mjafton të kujtojmë që Sekretari Organizativ i PS-së, Damian Gjiknuri ka qenë edhe ai në udhëtime me Klodian Mirel Mërtirin dhe po ai ka dhënë dakordësinë për ndërtimin e këtyre inceneratorëve. Madje ai ka dhënë dakordësinë edhe për shitjen e energjisë që ato gjoja do prodhonin.
E mbi të gjitha, askush nuk harron se si kryeministri Edi Rama doli personalisht në media për të mbrojtur këtë aferë korruptive dhe kriminale.
Të gjithëve na kujtohet se si në resht për një i vendosi socialistët për t’i çuar tek inceneratori i Elbasanit që sot është “skenë krimi”.
Prandaj sot, pakkush nga ne është i kënaqur jo vetëm sepse përditë e më shumë po zbulojmë që ka “hajdut dy metra” por sepse fatkeqësisht ky “hajdut dy metra” vazhdon të na bëjë rolin e njeriut që nuk di.
Sot, përpos Lefter Kokës që është në burg e përpos Zotos, Gugalljas dhe Mërtirit që janë në kërkim duhet të kishim përpara drejtësisë gjithë grupin e strukturuar kriminal që ka vrarë mushkëritë e buxhetit me mbi 430 mln euro vjedhje dhe ato të shqiptarëve me plehrat që djeg.
Sot, përpara drejtësisë duhet të ishin në rresht për një bashkësia e të korruptuarve duke nisur nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Qazim Sejdini dhe Armando Subashi.
Janë pikërisht këto hallka të munguara të një hetimi që është ende i papërfunduar përderisa nuk ka përpara bankës së të akuzuarve këta persona përgjegjës për krimin në fjalë.
Për mbi katër vite ky grup i strukturuar kriminal ka drejtuar çdo devijim të vëmendjes mediatike ndaj denoncimeve që PD ka bërë për inceneratorët.
Këta njerëz kanë sulmuar dhe kërcënuar jo vetëm mediat por edhe deputetë të PD, qytetarë që i shoqëronin këto deputetë pasi e mendonin veten të paprekshëm.
Si kryetare e Komisionit Hetimor për Inceneratorët e shpreh qartë dhe publikisht se do të vazhdojmë hetimin e kësaj afere korruptive paralelisht me prokurorinë SPAK.
Prandaj dua të paralajmëroj këdo institucion shtetëror apo privat që refuzon t’i përgjigjet kërkesave të këtij komisioni që janë ngritur mbi ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë se do t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet ligjore.
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtën e tyre të dinë se si janë vjedhur dhe nga kush janë vjedhur milionat e eurove në formën e inceneratorëve.
Shqipëria e capërluar nga korrupsioni ka të drejtë që të shpëtojë nga tentakulat e një bande që ka vjedhur.
Kështu që avokatët politikë, ato mediatike dhe të singjashmit e tyre mos të mendojnë se do të intimidojnë këtë Komision Hetimor me artifica dhe shpikje për të mos bërë punën.
Kushdo që ka menduar se unë do të stepem tani nga kjo betejë e ka gabim. Shqiptarët meritojnë drejtësinë, meritojnë të shohin të vërtetën në lidhje me taksat e tyre dhe këtë skemë korruptive kriminale.
Ky nuk është premtim emocional sa për të kaluar radhën por një zotim që në emër të PD-së ua bëj dhe një herë shqiptarëve.
Askush, askush nuk mund të jetë mbi ligjin aq më pak një grup i strukturuar kriminal sado i fortë që mund t’i duket vetja sot.