Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku vizitoi sërish sot shtëpinë e Bec Tushës, në Pinar, pak kilometra nga Tirana i cili shprehet se “14 muaj pas tërmetit, askush nuk ka vënë dorë në shtëpinë e tij”.
“Do ta ngremë sërish shqetësimin e shtëpisë deri më 25 prill, se pas 25 Prillit do ta rregullojmë vetë”- tha Jorida Tabaku, e cila bëri përgjegjëse qeverinë dhe bashkinë e Tiranës për gjendjen e mjeruar ku jetojnë mijëra familje në periferi të kryeqytetit.
“Nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk mund të lësh njerëzit në mes të katër rrugëve. 200 mijë shqiptarë janë prekur në 11 bashki nga tërmeti dhe qeveria nuk ka marrë as masën më të vogël, sepse kanë pritur ose të marrin vota ose të bëjnë korrupsion. Edhe për tërmetin i ndajnë në majtas dhe djathtas, edhe në fatkeqësi. Nxjerrin në televizion projekte 3D dhe këtu njerëzit vdesin për bukën e gojës dhe nuk kanë as ujë, as drita. Është e pafalshme që kaq afër Tiranës, erdhëm për 1 orë e gjysmë nga rruga e pashtruar, e që duhej të ishte një nga bukuritë më të mëdha natyrore, e duhej të vinin për turizëm, por është e lënë në harresë”, tha Tabaku.