Në një dalje për shtyp, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se Rama ka dështuar dhe deklarata e tij e sotme mbi rritjen ekonomike imagjinare të Shqipërisë, janë thjesht një shaka e hidhur.
Sipas Tabakut, Rama do të na shesë ne sikur në Shqipëri jemi më demokratikë megjithëse në 8 vite të rilindjes së tij vendi ka pasur një rënie të të gjithë treguesve që kanë lidhje me demokracinë dhe lirinë e individëve.
“Rama ka dështuar dhe deklarata e tij e sotme mbi rritjen ekonomike imagjinare të Shqipërisë, por njëkohësisht renditjen në lidhje me demokracinë, janë thjesht një shaka e hidhur. Rënia ekonomike e Shqipërisë është 7.5% dhe të gjithë institucionet ndërkombëtare flasin qartë dhe thonë që Rama ka qenë i paaftë, ka dështuar për ta menaxhuar krizën e pandemisë por njëkohësisht edhe tërmetin. Ai nuk diti që të përballet me krizat e njëpasnjëshme që kaloi vendi, ka dështuar dhe po dështon çdo ditë e më shumë. Ndaj nuk i ka mbetur vetëm se të gënjejë publikisht edhe për fakte që janë publike.
Kryeministri në ikje i Shqipërisë, në mungesë të një oferte reale për shqiptarët por njëkohësisht si pengesa e vetme për demokracinë në vend, u krenua sot për një raport të “The Economist” mbi lirinë dhe demokracinë në vendin tonë. Ai do të na shesë ne sikur në Shqipëri jemi më demokratikë megjithëse në 8 vite të rilindjes së tij vendi ka pasur një rënie të të gjithë treguesve që kanë lidhje me demokracinë dhe lirinë e individëve. Shqipëria ka pasur një përparim qesharak në 7 vitet e fundit në këtë raport. Në zgjedhjet e vitit 2019 pati hapa pas dhe qytetaret u privuan nga e drejta e votës. Po kështu raporti i OSBE-OHDIR raporton se si qeveria ushtronte dhunshëm presion dhe kërcënime ndaj gjyqtarëve përmes procesit të vettingut. Ndërkohë që nga ana tjetër Raporti i Global Initiative Netëork raporton se në Shqipëri janë pastruar 1.6 mld euro në Shqipërinë e Ramës që është kthyer sot në një regjim”, tha Tabaku.
Për Tabakun, në 3 vitet e fundit Shqipëria ka rene me 6 vende ne treguesit e korrupsionit.
“Ndërkohë që pak javë më parë u njohëm edhe me raportet e antimafias dhe të Ndragetës që e tregojnë Shqipërinë si parajsë të pastrimit të parave. Transparency International tregon që korrupsioni ne Shqipëri ka kaluar ne nivelin e kapjes se shtetit. Ne 3 vitet e fundit Shqipëria ka rene me 6 vende ne treguesit e korrupsionit. Raporti tejet i rëndësishëm i “Freedom House” në 2020 identifikon “Procesin elektoral në rënie si pasojë e konfliktit politik dhe mungesës së një reforme elektorale. Po kështu nënvizohej se “Demokracia ka pasur rënie nga 3.5 në 3.25 pikë si pasojë e një seri krizash që kanë prekur qeverinë dhe institucionet e saj”. Por mbi të gjitha nënvizohet “një trend shqetësues në demokracinë e vendit, procesin elektoral, lirinë e medias dhe korrupsionin” Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nënvizon se “Shqipëria perceptohet tanimë si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Tabaku shtoi se prandaj rikthimi i demokracisë është beteja kryesore e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës.
“Prandaj rikthimi i demokracisë është beteja kryesore e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Dhe do te bëjmë çdo gjë, për të kthyer ekonominë dhe demokracinë në institucionet shqiptare për ta forcuar atë. Do të ngremë çdo mekanizëm të mundshëm për të kthyer balancën në institucione, për të kthyer kontrollin në institucione për t’ia dhënë atë njerëzve, qytetarëve shqiptarë. Në 25 Prill fiton demokracia dhe humb Edi Rama. Në 25 prill fiton beteja kundër korrupsionit dhe humbet Edi Rama”, vlerësoi Tabaku.




