Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se Parlamenti mblidhet sot për një ligj që është në shërbim të oligarkëve.
Sipas Tabakut, qeveria ka vendosur të dërgojë në parlament ligjin për përjashtimin nga TVSH të importit të Jahteve dhe sot miratohet.
Reagimi i Jorida Tabakut
Ndërsa parashikimet për ekonominë e vendit vijnë e bëhen më të errëta, qeveria vazhdon avazin e vjetër duke promovuar ligje në shërbim të një pakice. Ajo ka vendosur të dërgojë në parlament ligjin për përjashtimin nga TVSH të importit të Jahteve dhe sot miratohet. Pikërisht ai projektligj që ministrja Denaj iu lut kryeministrit që të mos e kalonte në këtë kohë pandemie.
Në një kohë kur bizneset ndjejnë shtrëngimin e darës së krizës qeveria vazhdon të mendojë për të njëjtët njerëz. I vendosur në drejtimin dhe frymëzuar nga klubi i ortakëve Oligarkë me të cilët ndan çdo pasuri publike dhe private, Rama do ta kalojë këtë projektligj në atë që quhet parlament por që është një noter.
Për çdo fillim viti nga 2014 e këndej shqiptarët kanë paguar taksat e rritura disa fish. Bizneset kanë paguar tarifa ekstra, punëtorët kanë marrë më pak të ardhura në xhepat e tyre. Në shtatë vjet qeveria i ka harxhuar taksat në sheshe të vdekura dhe në PPP, sot kur shqiptarët presin ndihmën e qeverisë ajo vendos t’i lehtësojë jetën 12 oligarkëve duke varfëruar më tej 3 milionë shqiptarë.
Një qeveri që sillet si gjobvënës karshi qytetarëve ndërsa i shkel syrin klubit të ortakëve që bashkë me Ramën kanë vjedhur lekët e shqiptarëve dhe pasuritë e tyre.
Duke u lënë peshqesh një buxhet të rrënuar, ligje që favorizojnë vetëm oligarkët dhe padyshim një shtet që nuk i shërben shqiptarëve.
Nuk ka mbetur më njeri që beson se ky parlament ka në interes të tij të mirën e shqiptarëve!