Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot në një deklaratë për media se raporti i KLSH për inceneratorët provoi vjedhjen kolosale të qytetarëve shqiptarë. Sipas deputetes demokrate, U paguan 80 milionë euro për incineratorin që nuk ekziston. Më tej, Tabaku theksoi se “PS është kthyer në mburojë politike për të mos hetuar vjedhjen e 430 milionë eurove.
Partia Demokratike deklaron se raporti i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit për aferat e incineratorit të Tiranës fakton se me përfshirjen e Erion Veliajt, paguajmë 2 herë incineratorin inekzistent.
“Arsyeja se pse Shqipëria ndonëse në një nivel të ulët të mbetjeve ëpr frymë në Evropë ka vendosur që të ndërtojë një incinerator kur të gjitha studimet, analiza e mjedisit dhe analiza financiare tregonin që nuk duhej ta ndërmerrnin lidhet pikërisht me vjedhjen kolosale në këtë skemë financimi,” tha Tabaku.
Nga foltorja e selisë blu, Jorida Tabaku deklaroi se janë paguar 80 milionë euro për incineratorin që nuk ekziston.
“Nëse ne sot deklarojmë që po paguajmë 8 mln euro në vit për një incinerator që nuk ekziston, që bashkia e Tiranës është vendosur në një rrezik të jashtëzakonshëm financiar sepse nuk e përballon koston, që bashkitë janë sot duke paguar tarifa të larta vetëm që incineartorët të funksionojnë ka një dhe vetëm një përgjegjës, Edi Rama,” tha Tabaku.
Nga ana tjetër, deputetja demokrate deklaroi se Partia Socialiste është kthyer në mburojë politike për të mos hetuar vjedhjen e 430 milionë eurove.
“Kjo është shkelja e katërt më e rëndë duke treguar dhe një herë që kompania nuk kishte asnjë lidhje me incinerimin dhe sigurisht u krijua vetëm për vjedhjen kolosale të 430 mln eurove,” përfundoi Tabaku.
Në përfundim të deklaratës së saj, Jorida Tabaku theksoi se dosja e re do të çohet në SPAK, pasi siç tha ajo nuk ka drejtësi pa dënuar Ramën, Veliajn dhe bashkëpunëtorët e tyre.




