Bukuroshja shqiptare Eva Murati ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare me paraqitjen e saj në Festivalin e 82-të të Filmit në Venecia.
Gazeta e njohur britanike The Sun i ka kushtuar një artikull veçantë moderatores dhe prezantueses sportive, duke e cilësuar si “Albanian Laura Woods”, për shkak të krahasimeve që shpesh i bëhen me prezantuesen e famshme britanike të futbollit.
Murati, e cila numëron mbi 1.3 milion ndjekës në Instagram, u shfaq në Venecia me një fustan të guximshëm të zi me prerje të hapura, të kombinuar me një shall të bardhë mbi supe.

Veshja ishte dizajnuar nga 1er Etoile, një kompani italiane e njohur për krijimet e saj të personalizuara.
Në rrjetet sociale, Eva ndau momente nga ky event, duke postuar një video ku shihej duke pozuar përpara pasqyrës përpara se të merrte pjesë në afterparty në Palazzina Grassi.

Moderatorja shqiptare shkëlqeu edhe në tapetin e kuq, ku buzëqeshja e saj nuk mungoi përpara dhjetëra fotografëve që e pritën me entuziazëm.
Gjatë mbrëmjes, Eva Murati ndau gjithashtu imazhe duke shijuar kokteje Campari, ndërsa kërcente nën ritmet e muzikës në festën e Venecias.

“The Sun” thekson gjithashtu se prezantuesja e Champions League ka qenë e mësuar me veshje të guximshme, si në evente madhore ashtu edhe në postimet e saj të përditshme në rrjetet sociale, ku shpesh merr vlerësime të shumta për stilin dhe elegancën.
Vera e këtij viti për Muratin ka qenë e mbushur me udhëtime dhe paraqitje të spikatura: nga pushimet në Sardinë dhe në Rivierën Shqiptare, ku mahniti fansat me stilin e saj plazhi, e deri tek prezantimi i një mbrëmjeje të madhe çmimesh në Shqipëri, ku shkëlqeu me një fustan të gjatë me xixa dhe gurë të çmuar.

Pa dyshim, paraqitja e Evës në Venecia e ka konsoliduar edhe më shumë pozicionin e saj si një nga figurat më të komentuara shqiptare në arenën ndërkombëtare.



