Ish-ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri shprehet i bindur se radarët në qendrën për siguri kombëtare në Sazan nuk janë fikur.
Gjatë një deklaratë për mediat, pas seancës, ish-ministri tha se Siguria Kombëtare e Shqipërisë nuk është në dorë të një operatori, i kujdo institucioni qoftë.
“Në dijeninë time radarët teknikisht nuk mund të fiken. Prokuroria kishte dy vjet kohë të vërtetonte që nëse në kuadër të cilësdo veprimtari kriminale këto radarë mund të fiken. Unë e di që jo dhe unë kam prova që jo dhe i thashë në seancë. Prokuroria le të vijë dhe le të thotë që jo nuk është kështu, këta radarë janë fikur. Unë e them jo dhe jo nuk ka ndodhur kurrë që të fiken radarët. Siguria kombëtare në republikën e Shqipërisë nuk i është lënë në dorë me një çelës një operatori cilido qoftë ky, në cilindo institucion, në çfarëdo detyre. Prokuroria e hamendëson sikur kjo është pjesë e veprimtarisë kriminale”, tha ai.
Tahiri iu drejtua gazetarëve duke thënë se e kanë harruar kohën kur ai ishte ministër e luftonte siç tha Lazaratin.
“Keni harruar ministrin që isha, mos e harroni kurrë atë që isha, ishte një kohë që luftonim Lazaratin, si mund t’i shkelja ndërkohë syrin ca trafikantëve”, tha ai.
“Kjo është beteja më e rëndësishme e jetës sime, ika nga deputet për tu përballur me drejtësinë, që të mos ishte me hijen e të qenit në pushtet.
E mirëpres dt 19, duket larg por do pres që gjykata të jap vendim. Në këtë vend ka deputetë e ish kryeministra që janë përball me akuza të rënda madje edhe për vrasje, ata nuk kanë shkuar as në prokurori kurse unë hoqa dorë nga gjithçka. Mua më intereson drejtësia bashkë më lirinë, unë dua të jem i lirë”, përfundoi Tahiri.