Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, në situatën aktuale, do ishte me interes strategjik.
Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që vendet perëndimore kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pa sovranitet në Veri, pa hyrjen në Këshillin e Evropës keq për Kosovën. Hyrja në KiE do të ishte me rëndësi strategjike më këtë kohë të ndjeshme”, shkroi Tahiri.
Ndryshe, Kosova, tash për tash, sipas burimeve diplomatike të “Radio Evropa e Lirë”, nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 maj në Strasburg të Francës.
Fillimisht, pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kishte pritje se në atë takim, pra të 16 majit, të votohej për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Por, sipas burimeve diplomatike të REL-it, janë disa shtete, të cilat preferojnë që Kosova të mos jetë fare në agjendë, sesa të marrë vota negative.
Disa vende që janë pjesë e KiE-së, posaçërisht Franca e Gjermania, kanë kushtëzuar Kosovën se për të anëtarësuar në KiE, duhet të bëhet progres në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka hedhur poshtë këtë kusht, madje e ka konsideruar kërkesë “absurde” pasi që ka theksuar se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimin Evropian, e jo me KiE-në.