Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha për gazetarët se “do të preferonte të mos” ishte i pranishëm në takimin midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.
“Do të shohim nëse Putin dhe Zelensky do të punojnë së bashku. E dini, kjo është pak si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta. Por do ta shohim. Dhe pastaj do të shohim nëse do të më duhet të jem atje [në takimin e udhëheqësve të Rusisë dhe Ukrainës]. Do të preferoja të mos isha”, tha Trump.
Trump tha po ashtu se brenda dy javësh do të dijë qëndrimin e Rusisë dhe të Ukrainës, nëse mund të bëhet përparim drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, dhe të marrë një vendim, ndërsa foli gjithashtu edhe për sanksione të mundshme kundër Moskës.
“Mendoj se brenda dy javësh do ta di qëndrimin e Rusisë dhe, sinqerisht, të Ukrainës. Në atë pikë do të marr një vendim: do të jetë një vendim i rëndësishëm që mund të përfshijë sanksione të rëndësishme, tarifa ose të dyja”, tha Trump.
Trump ka nisur prej kohësh përpjekjet për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë. Ai zhvilloi disa raunde bisedimesh me të dyja palët, përfshirë një samit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht, dhe njoftoi përgatitjet për një takim të mundshëm midis presidentit ukrainas dhe atij rus.