Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj, ka zhvilluar sot takimet e para pasi u votua në Kuvend si kryetar shteti.
Ai takoi ambasadorin britanik në Shqipëri Alastair King-Smith dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Këta të fundit vlerësuan qëllimin e Begajt për t’i shërbyer interesave afatgjata të popullit shqiptar.
Përmes një deklarate ambasadori Alastair King-Smith shprehet:
Diskutuam rëndësinë e sigurisë rajonale, duke adresuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve dhe garantimin e standardeve më të larta në detyrat publike dhe emërimet.
I dërguari i Posacëm, Sir Stuart Peach, ndodhet në vizitë dy ditore në Shqipëri me synimin për të përforcuar angazhimin e Britanisë për të bashkëpunuar me udhëheqësit shqiptarë dhe liderët e tjerë, për të promovuar në të gjithë rajonin institucione të forta demokratike dhe shoqëri të hapura.
Si aleatë të ngushtë, do të angazhohemi me Presidentin e zgjedhur Begaj që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria të adresojnë sfidat e përbashkëta dhe të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi për të dyja vendet tona”.