“Veprime të pamatura” i ka konsideruar i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lordi Stuart Peach, vendimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me instalimin e kryetarëve të rinj në objektet komunale në veri të Kosovës. Në një deklaratë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lordi Stuart Peach tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë patur pasoja të dëmshme, teksa thekson se është e nevojshme që të gjitha palët të depërshkallëzojnë situatën.
“Në takimet me qeverinë kam dhënë një mesazh shumë të qartë: veprimi i Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e komunave në ndërtesat komunale me forcë, ka qenë i pamatur dhe ka pasur pasoja të dëmshme. Është e nevojshme që të gjitha palët të de-përshkallëzojnë situatën tani”, ka thënë emisari britanik”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu ai shton se ngjarjet e fundit kanë shkaktuar dëm në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe po ashtu edhe në reputacionin e saj me aleatët.
“Ngjarjet e fundit kanë shkaktuar dëm në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe në reputacionin e saj me aleatët. Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar pranë Kosovës në kohërat më të mira dhe më të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, por veprimet unilaterale vetëm do ta bëjnë këtë më të vështirë”, përfundon deklarata.