Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, ka deklaruar se Polonia mund ta ndalojë presidentin rus Vladimir Putin nëse avioni i tij hyn në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë udhëtimit për takimin e planifikuar në Budapest me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Në një intervistë për Radio Rodzina, Sikorski theksoi se gjyqësori polak vepron në mënyrë të pavarur dhe do të jetë i detyruar të zbatojë urdhrin e arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të lëshuar kundër Putinit nëse ai kalon kufijtë e vendit.
“Nuk mund të garantoj që një gjykatë e pavarur polake nuk do të urdhëronte qeverinë të shoqëronte një avion të tillë dhe të dorëzonte të dyshuarin në Hagë,” tha Sikorski, sipas një raporti të Reuters.
Urdhri i ICC-së, i lëshuar në vitin 2023 për krime të luftës lidhur me dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas, detyron shtetet anëtare, përfshirë të gjitha vendet e BE-së, të arrestojnë Putinin nëse ai hyn në territorin e tyre.
“Mendoj se pala ruse është e vetëdijshme për këtë. Pra, nëse ky samit zhvillohet, shpresojmë me pjesëmarrjen e viktimës së agresionit, avioni ka të ngjarë të ndjekë një rrugë tjetër”, tha kreu i diplomacisë polake.
Hungaria, e cila po pret samitin, ka premtuar të garantojë hyrjen dhe daljen e sigurt të Putinit, megjithëse aktualisht është nënshkruese e ICC-së, por është në proces të tërheqjes nga konventa.
Megjithatë, për të shmangur fluturimin mbi Ukrainë, delegacioni rus do të duhet të kalojë përmes hapësirës ajrore të të paktën një shteti të BE-së, të cilët të gjithë janë anëtarë të ICC-së.
Ndërkaq, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët perëndimorë kanë mbështetur thirrjen e Trump për të nisur bisedime paqeje bazuar në linjat aktuale të frontit, duke këmbëngulur se Ukraina duhet të mbetet e fortë dhe presioni ndaj Rusisë duhet të rritet.
Muajin e kaluar, kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti publikisht për herë të parë presidentin rus Vladimir Putin një kriminel lufte, duke thënë se Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ai është një kriminel lufte. Ndoshta një nga kriminelët më të rëndë të luftës të kohës sonë,” tha Merz në një intervistë për transmetuesin Sat.1 më 2 shtator.
“Duhet të jemi të qartë se si të sillemi me kriminelët e luftës. Nuk mund të ketë asnjë tolerancë”, tha Merz, ndërsa shtoi se Putini nuk sheh arsye për të rënë dakord për një armëpushim dhe tha se Evropa duhet të punojë për të sjellë “rraskapitjen ekonomike” të Rusisë, duke vendosur tarifa për vendet që vazhdojnë të tregtojnë me Moskën.