“Putin po turpëron veten në skenën globale”. Sekretarja për punët e Jashtme në Britaninë e Madhe, Liz Truss, e cila ka zemëruar shpesh Moskën me deklarata të forta, e tha këtë gjatë takimit të ministrave të jashtëm të G7-tës në Gjermani.
Truss, e cila është treguar e drejtpërdrejtë mbi qëllimet e Londrës lidhur me luftën në Ukrainë, pa marrë parasysh rrezikun e përshkallëzimit, edhe këtë herë e tha qartë se duan dështimin e Putinit.
“Putin po turpëron veten në skenën globale. Duhet të sigurohemi që ai të përballet me një disfatë në Ukrainë, të mos përfitojë asgjë, në mënyrë që të kufizohen agresione të mëvonshme”, deklaroi ministrja britanike.
Shefja e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuara, kërkoi që Ukraina të ketë më shumë qasje ndaj armëve të NATO-s, dhe tha se sanksionet kundër Rusisë duhet të hiqen vetëm pasi të gjitha trupat ruse të largohen nga Ukraina.
Në takimin që nisi këtë të premte në Gjermani, shtetet e industrializuara të G7-tës do të trajtojnë gjithashtu çështjen e krizës globale ushqimore, duke theksuar se vendet më të varfra duhet të mbrohen nga efektet e pushtimit rus në Ukrainë.
“Kjo luftë e tmerrshme agresioni, e cila është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, nënkupton jo vetëm një krizë e thellë për Evropën, por tani është një krizë globale. Ky është qëllimi i presidentit rus, të përdorë këtë krizë për të përçarë komunitetin global. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne po kundërshtojmë këtu si ministra të jashtëm të G7″, deklaroi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Lufta në Ukrainë është tema kryesore në agjendë, ndërsa në listën e të ftuarve janë edhe ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Moldavisë Dmytro Kuleba dhe Nicu Popescu.