Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron, në një konferencë gjatë samitit në Moldavi, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Gjatë takimit u ra dakord që të ketë vendim të qartë për situatën në veri të Kosovës. Macron theksoi se u kërkua gjithashtu që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.
Osmani konfirmoi se Macron dhe Scholz kërkuan që Kosova të gjejë mënyra për të mbajtur zgjedhje të reja në veri dhe që serbët të marrin pjesë në to.
“Unë i thashë që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha ajo, në një konferencë për media, pas takimit me liderët evropianë gjatë pjesëmarrjes në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.
Osmani tha po ashtu se u tha liderëve evropianë se procedurat ligjore mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve.
“Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, tha Osmani.
Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Situata në veri të Kosovës u tensionua më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.