Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në konferencën për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve tha se sipas të dhënave që posedojnë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është në epërsi.
“Informacionet e para nga shtabet tona janë se ne jemi në epërsi të madhe dhe presim fitore bindëse. Shpresoj se më vonë kur të mbajmë konferencë për shtyp nga ora 23:30 ti tregojmë rezultatet përfundimtare, por trendi është pro nesh”, tha mes tjerash Taravari.
Taravari zgjedhjet e sotme i konsideroi si jokorrekte duke theksuar se janë vërejtur parregullsi të shumta.
“Në fshatin Llojan blloku i fletvotimeve ka pasur radhitje të parregullt të numrave serik. Në fshatin Ramanli të Kumanovës është regjistruar i ashtuquajturi tren Bullgar,ndërsa ne mbrëmje është vërejtur se dikush ka nënshkruar në emër të dikujtë tjetër. Në fshatin Llaskarcë të njejtat persona kanë votuar për disa herë”, theksoi Taravari.