Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, Rafael Leao dhe Mike Maignan, do të vazhdojnë të jenë pjesë e kuqezinjve edhe sezonin e ardhshëm.
“Leao është një lojtar shumë, shumë i mirë. Ai është një lojtar kyç për ne dhe projektin tonë,” theksoi Tare, mes spekulimeve që e lidhin anësorin me Bayern Munich.
Ylli 25-vjeçar portugez, i cili shënoi 12 gola dhe dha 9 asistime në 38 paraqitje sezonin e kaluar, mbetet një nga futbollistët më të rëndësishëm të Milanit.
Tare hodhi poshtë zërat për një ofertë nga Bayern, duke deklaruar: “Nuk kemi marrë asnjë propozim deri më tani. Janë vetëm thashetheme mediatike”, tha Tare.

Me kontratën e Leaos që vlen deri në vitin 2028, Milani është i përqendruar në ndërtimin e ekipit rreth tij.
Sa i përket portierit Mike Maignan, Tare konfirmoi se edhe ai do të qëndrojë në “San Siro”. Chelsea kishte shprehur interes për gardianin francez, por nuk arriti të gjejë marrëveshje për transferimin.
“Mike Maignan do të qëndrojë me ne sezonin e ardhshëm. Pati interes nga një klub i Ligës Premier (Chelsea), por nuk gjetëm një marrëveshje. Vendosëm ta mbanim Miken”.
“Nuk e di kurrë se çfarë ndodh në treg… por ne duam që Maignan të qëndrojë”, përfundoi drejtori sportiv i Milanit.