Shpërthimi ndodhi para kishës, të dielën në orën nëntë të mëngjesit. Katër trupa në trotuar. Dy vëllezër Alisa 9-vjeçare dhe Miketa 18-vjeçar së bashku me nënën e tyre Tatiana 43-vjeçare. Jo shumë larg trupi i një të riu, Anatoli 27 vjeç. Kështu në një sekondë një familje e tërë u fshi nga një mortaja ruse. I pari që fotografoi skenën ishte Andriy Dubchak, një fotograf ukrainas që bashkëpunon me New York Times. Dhe është ai që tregon: “Po ecja nëpër rrugët e Irpinit, qyteza e sulmuar nga rusët në veriperëndim të Kievit. Kishte refugjatë që përpiqeshin të largoheshin. Po bëja foto dhe filmime. Pak më herët kisha dëgjuar të shtëna automatiku, po lëvizja me kolegë të tjerë. Në një moment ishte e qartë se rusët kishin parë nga distanca njerëzit që po largoheshin. Ishin me qindra: gra, fëmijë, të moshuar, të sëmurë po ndihmoheshin prej vullnetarëve. Në atë çast erdhi predha”.
Nga video e tij mund të shihet shpërthimi. Rastësisht ka qenë duke filmuar dhe vetë ka mbetur i plagosur lehtë në kyçin e këmbës. Ka pluhur, copa, një vullnetar është goditur. Sapo pluhuri pastrohet, Andriy rinis filmimin e skenës, rrotullon kamerën dhe atëherë dëgjon britma, thirrje për ndihmë. Trupat janë në asfalt.
“Vëllezërit vdiqën menjëherë. Kur vrapova drejt vendit, ata nuk merrnin më frymë. Mamja ishte pa ndjenja, por kishte puls. Ajo ndërroi jetë pak kohë më pas”. Viktima mes viktimave. Sipas refugjatëve, rrugët e Irpinit dhe fshatit aty pranë Buça janë të përgjakura me kufoma të braktisura. Civilët lëvizin ngadalë, të frikësuar nga shpërthimet, të frikësuar nga flakët, ecja mes mbeturinave me bagazhe rezulton e vështirë. Shumë prej tyre kanë ikur nga zona të tjera, nuk i njohin rrugët, shpesh nuk dinë as ku të shkojnë për të arritur në zonat e mbrojtura të Kievit. “Rusët luajnë si macja me miun. Momentet e gjata të qetësisë pasohen nga sekonda zjarri”, thonë dëshmitarët.
Andriy nuk mund të kuptonte se kush ishin të vdekuri. Askush nuk i njihte dhe në kaos të gjithë po përpiqeshin të iknin. Ai vazhdon: “Pamjet e viktimave i postova në rrjetet sociale lokale dhe pas disa orësh më kontaktoi kumbara e fëmijëve. Mësova se janë një familje nga Donetsku që kanë ardhur për të jetuar në Irpin në kohën e pushtimit rus, në vitin 2014. Më pyeti se si vdiqën. Donte të dinte nëse kishin vuajtur, po qante shumë. Të gjithë ata janë të mbyllur në bunkerë. Tatiana dhe dy fëmijët e saj duhej t’i bashkoheshin atyre. Tani kumbara do të duhet të rimarrë trupat e gjetur në morgun qendror të Kievit. Mes tyre do të bëjnë varrimin. Një komunitet i të zhvendosurve nga Donetsku tani banon në Kiev”.
Ai ka të ngulitur imazhin e vëllezërve. Miketa kishte një fytyrë të përgjakur. Të dy ishin shumë të mbuluar, bën ftohtë dhe njerëzit lëvizin me rroba të ngrohta. Edhe burri që ishte me ta vdiq shpejt, i kishte prerë arteriet inguinale.
Nga rrëfimet e mbledhura në vend, mësojmë se ka ende shumë të plagosur të braktisur në rrugët e fshatrave të goditur. Shumë vdesin nga të ftohtit, pa asnjë ndihmë. Nuk e dimë nëse refugjatët po trajtohen nga rusët. “Njerëzit bëjnë përpjekje të mëdha për t’u shpëtuar rusëve. Dhe askush nuk na thotë se trupat ruse ndihmojnë ose trajtojnë të plagosurit. Në rastin më të mirë ata i lënë njerëzit të shpëtojnë”, thotë Andriy. Mes refugjatëve ka zëra se ushtarët rusë në Bucha janë me origjinë çeçene, të famshëm për mizorinë e tyre. Një fakt që kontribuon në nxitjen e frikës. Ai vetë flet për atë dyzet minuta ferri. “Pas mortajës të shtënat vazhduan fort. Rrugës së kthimit më është dashur të hidhem në tokë të paktën shtatë herë dhe jam strehuar dy herë në shtëpitë e braktisura”. / corriere della sera – bota.al