Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 12 dhjetor lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për dënimin e ish-gjyqtares së Durrësit, Mimoza Margjeka, bashkëshortit të saj, Arben Cara dhe tre të pandehurit e tjerë të akuzuar për përfshirje në një skemë korrupsioni.
Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, u akuzua se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec. Tre të pandehurit e tjerë në këtë proces, Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, u arrestuan pasi u dyshuan se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh.
Pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë për korrupsion në dhjetor të vitit 2022. Mimoza Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, por u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur, si dhe u caktua në provë për 3 vjet. Po ashtu, i’u hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar. Bashkëshorti i saj, Arben Cara u dënua me 4 vjet burgim; i pandehuri Klaudio Zhilla me 3 vjet heqje lirie; avokati Skënder Demiraj u dënua me 3 vjet, por u pezullua dënimi dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet; i pandehuri Nejton Bali u dënua me 1 vit e 2 muaj burgim, por edhe ai u vendos në shërbim prove për 2 vjet e 4 muaj.
Gjatë procesit në Apel të pandehurit pretenduan se ishin dënuar pa prova dhe se ishin të pafajshëm. Margjeka kërkoi administrimin e disa provave dhe kërkoi ripërsëritje të pjesshme të gjykimit, por kjo kërkesë u vlerësua e panevojshme nga trupi gjykues i kyesuar nga Igerta Hysi dhe anëtarë gjyqtarët Engert Pëllumbi dhe Florjan Kalaja. Në përfundim të shqyrtimit në Apel, ky trup gjykues e vlerësoi të drejtë vendimarrjen e Shkallës së Parë, duke e lënë në fuqi.