Përmes një deklarate për shtyp, ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se dita e nesërme do të jetë pushim për shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Lexoni më poshtë deklaratën e plotë:
Dua të ndaj me të gjithë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit tanë, informacione për gjendjen e shkollave dhe hapat që do të ndërmarrim në vijim.
Që prej ditës së djeshme, pasi u siguruam se nuk ka nxënës dhe mësues me lëndime trupore, ne si Ministri e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kemi angazhuar menjëherë të gjithë stafin e ministrisë me një ekip monitorues të saj dhe të gjitha zyrat vendore arsimore në të gjithë territorin e Shqipërisë për të inspektuar dhe verifikuar në terren çdo shkollë apo institucion arsimor që mund të ketë patur dëme të mundshme nga tërmeti.
Natyrisht, ekipet tona nuk kanë punuar vetëm:
kemi bashkëpunuar ngushtë me shtabet e emergjencave në secilën bashki dhe inxhinierët bashkiakë.
Unë personalisht, kam qenë në komunikim më të gjithë drejtorët e shkollave për të marrë një informacion paraprak për gjendjen e shkollave që ata drejtojnë – informacion të cilin e verifikuam sot me daljet tona në terren, ku realizuam një sërë inspektimesh me drejtuesit e shkollave, zyrave arsimore, deputetët e zonës etj., për të parë nga afër nivelin e dëmeve në institucionet arsimore të prekura nga tërmeti.
E përqendruam punën tonë në Tiranë, Durrës, Vorë, Kamëz dhe Elbasan, pasi këto ishin edhe zonat më të prekura nga tërmeti i djeshëm.
Për fatin tonë të mirë, janë vetëm dy objekte shkollore që kanë pësuar dëmtime në masën që të mos jetë e sigurtë hapja e shkollës të hënën.
Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër “Berxullë”, me numër të vogël nxënësish të cilëve do t’i sigurohet transporti për t’i dërguar në shkollën qendër.
Ndërsa shkolla tjetër, është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë pasi të marrim konfirmimin final nga Bashkia Tiranelë për gjendjen e saj.
98 shkolla të tjera kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, në muret e brendshme të shkollave apo ato të jashtme – pjesa kryesore e të cilave janë sanuar dhe pastruar gjatë ditës së sotme nga ekipet e bashkisë.
Pra, dua t’ju siguroj, se insfrastruktura shkollore është gati për të vazhduar normalisht mësimin qysh nesër.
Por, nga takimet e shumta që kemi patur me qytetarë të afektuar – jo vetem stafi i MASR por edhe kolegët e mi ministra, deputetë, stafet bashkiaket – duket se qytetarët e afektuar nuk janë plotësisht gati emocionalisht që të vijojnë ditën e zakonshme të punës dhe shkollës nesër.
Është plotësisht e mirëkuptueshme që një fatkeqësi natyrore si ajo e djeshmja, të shkaktojë ankth dhe stres tek familjet e afektuara.
Duke e marrë këtë parasysh, si dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e psiokologëve të ndryshëm që na kanë kontaktuar dje dhe sot, kemi vendosur që:
Dita e nesërme për të gjithe nxënësit e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, TË JETË DITË PUSHIMI!
Ditë pushimi të jetë njëkohësisht edhe për prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjecare, të cilët punojnë në administratë shtetërore.
Fatmirësisht, situata ne terren paraqitet drejt normalizimit, por që familjet e afektuara të tejkalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratë shtetërore, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë e të qëndrojnë me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, unë jam e bindur se neve si MASR na takon mirë-informimi i nxënësve mbi fatkeqësitë natyrore dhe përgatitjet që duhet të bëjmë për t’iu shmangur lëndimeve nëse ato ndodhin.
Ne sot që flasim, në kurrikulat tona tashmë i trajtojmë këto tematika. Por besoj fuqishëm që duhet t’i mëshojmë edhe më fort kësaj pike.
Sepse nga sa pamë, pjesa kryesore e lëndimeve trupore që kanë pësuar qytetarët dje ishin lëndime të shkaktuara nga paniku.
Besoj fuqishëm se nëse secili ka informacionin e duhur për hapat që duhen ndjekur në rast fatkeqesish natyrore, edhe lëndime do të ketë më pak.
Sot ndava me të gjithë drejtuesit e shkollave një video të “Save the Children” për masat që duhet të merren nëbrast tërmeti:
Si duhet mbrojtur koka gjatë daljes nga banesa; kur duhet të dilet nga godinat dhe si të qëndrojmë të sigurtë aty ku jemi.
U kërkova që në orën e parë të mësimit të diskutohen pikërisht këto masa.
Ndërkohë, së bashku me Ministren e Mbrojtjes, po ndërtojmë disa pamflete dhe video të tjera që do t’i shpërndajmë nëpër shkolla në mënyrë që të gjithë të ndihen sa më të informuar.
Duke ju falënderuar edhe njëherë qe jeni sot ketu, në fund dëshiroj të nënvizoj se ekipet tona të MASR janë në gatishmëri maksimale me çdo institucion qendror e vendor në kapërcimin me sukses të kësaj situate që asnjëri prej nesh nuk e ka në dorë.
Dhe dua të përsëris së nesër është ditë pushimi për nxënësit e arsimit parauniversitar në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.