Sa herë që Bedri Kukalaj vjen në hapësirat e Burgut të Dubravës, atij i kthehen shumë kujtime të hidhura nga viti 1999.
Kukalaj, në veçanti ndalet tek ditët ndërmjet 19 e 22 majit të atij viti.
Ai nuk është i vetmi i mbijetuar i masakrës së Dubravës.
21 vjet më vonë, edhe Sadik Zeqiri e Bislim Zogaj, rrëfyen për tmerret që kanë përjetuar në këtë vend, raporton KOHA.
Në këtë masakër u vranë 160 persona, e u plagosën rreth 300 të tjerë, shumë nga ta të burgosur politikë.
Në mesin e tyre është edhe Ukshin Hoti, i cili vazhdon të jetë ende i zhdukur.
Të mbijetuarit e kësaj masakre vazhdojnë t’i kritikojnë institucionet e Kosovës, për mosangazhim në dënimin e kryerësve të këtyre veprave.
Në lidhje me këtë masakër, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me hetimet dhe të dyshuarit si autorë të krimeve, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
21 vjet pas, ende nuk është dënuar askush për këtë masakër, derisa së fundmi Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas kësaj ministrie, qëllimi i themelimit të këtij Instituti është adresimi i krimeve të luftës, dokumentimi dhe arkivimi i tyre.